Ministrja Rizvanolli: Në të kaluarën “Trepça” nuk është audituar nga ZKA-ja për 10 vite, KEK-u e “Ibër Lepenci” për më shumë se 5 vite

Prishtinë, 05.12.2024 – Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se në të kaluarën, disa ndërmarrje të vogla si “Drini i Bardhë” janë audituar çdo vit, ndërsa “Trepça” nuk është audituar nga Zyra Kombëtare e Auditimit për 10 vite, kurse KEK-u e “Ibër Lepenci” për më shumë se 5 vite.

Në një intervistë për KTV, Ministrja Rizvanolli ka deklaruar se keqpërdorimi, mungesa e kontrollit, mungesa e transparencës që ka qenë në “Trepçë” e tejkalon përvojën e çdo ndërmarrje tjetër publike dhe siç ka vlerësuar ajo nuk ka qenë e rastësishme që nuk e ka audituar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Ajo po ashtu është shprehur se ndër gjërat më të mira që i kanë bërë si Ministri, është kërkesa për auditim, por këtu ka merita edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, që përveç profesionalizmit gjatë punës që e bëjnë në ndërmarrje publike dhe kur i përzgjedhin ndërmarrjet për auditim, sigurohen që të auditohen ndërmarrjet e mëdha dhe gjithashtu sigurohen që plani të jetë i tillë që të ketë mbulueshmëri të ndërmarrjeve që kanë risk më të lartë.