Fillon punën projekti “Ndërgjegjësim për higjienën kibernetike” për nxënësit
Prishtinë, 18.09.2024 – Në një botë ku hapësirat digjitale po zgjerohen me shpejtësi dhe kërcënimet kibernetike po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara, ndërgjegjësimi dhe edukimi janë më të rëndësishme se kurrë. Ky projekt është fillimi i një iniciative thelbësore për Sigurinë Digjitale të nxënësve në shkollat e Republikës së Kosovës, nismë kjo e krijuar posaçërisht për të forcuar njohuritë dhe praktikat e sigurisë digjitale të përdoruesve të internetit, veçanërisht nxënësit e moshës 6-16 vjeç dhe edukatorët në rreth 250 shkolla në Republikën e Kosovës.
Qëllimi i këtij projekti është që nxënësit të pajisen me mjetet dhe njohuritë thelbësore për të mbrojtur jetët e tyre digjitale, ndërkohë që ekipi i dedikuar do të mbulojë deri në 15,000 nxënës, duke ofruar sesion trajnimi me zgjatje 90 minuta në çdo vendndodhje.
Ky sesion do të përfshijë një përmbledhje teorike, demonstrim praktik dhe seancë pyetjesh dhe përgjigjesh për të adresuar çdo pyetje duke thelluar kuptimin e tyre për sigurinë kibernetike.
Ministria e Ekonomisë përmes projektit të suksesshëm: “Projekti i Kosovës për Ekonomi Digjitale” (KODE) po vazhdon punën në ndërgjegjësimin, zhvillimin dhe promovimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimeve.
#HigjienaKibernetike #EdukimiDigjital #MinistriaeEkonomise #ProjektiKODE #KRENKosova