Kryeministri Kurti dhe Ministrja Rizvanolli vizituan Termocentralin “Kosova B”
Prishtinë, 10.09. 2024 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot kanë vizituar Termocentralin “Kosova B” të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në të cilin janë duke u bërë remonte në përgatitje për sezonin e dimrit.
Vizita e Kryeministrit Kurti dhe Ministres Rizvanolli, kishte për qellim për të parë nga afër kushtet dhe punët që po zhvillohen në remontin e Bllokut B2, bashkëbisedim me punëtorët e KEK-ut në lidhje me angazhimin e tyre dhe sfidat me të cilat përballen ata.
Po ashtu, sot në KEK kanë filluar punën 149 punëtorë të rinj, për të cilin kryeministri nënvizoi rëndësinë e shtimit të kuadrove të reja dhe inkuadrimit të sa më shumë të rinjve e të rejave.
“Ne e duam dhe e vlerësojmë lart KEK-un si burim natyror i energjisë, si kapacitet prodhues e zhvillimor, por njëkohësisht edhe si organizatë e punëtorëve që po zgjerohet sot”, theksoi Kryeministri Kurti.
Ndërsa, Ministrja Rizvanolli pohoi se së bashku me Kryeministrin Albin Kurti, vizituan punimet për remontin në KEK, të cilat janë kyçe për të siguruar më shumë energji dhe stabilitet energjetik për vendin dhe ky proces i domosdoshëm na afron një të ardhme më të sigurt energjetike.
Ajo ka shtuar se në përfundim të kësaj vizite tejet të nevojshme, takuan edhe 149 punonjësit e rinj të Elektroenergjetikës, përfshirë 10 vajza e gra që sot u bënë pjesë e Korporatës Energjetike të Kosovës dhe siç tha ajo kjo përbën investim të rëndësishëm në për të ardhmen e KEK-ut, duke sjellë kapacitete të reja dhe energji të freskët në korporatë e çdo herë duke ndikuar që sa më shumë të rritet numri i vajzave e grave.