Ministria e Ekonomisë mbajti sesionin informues “Programi i Evropës Digjitale” 

Prishtinë, 27.05.2024 – Ministria e Ekonomisë ka mbajtur sesionin informues mbi Programin “Evropa Digjitale” në të cilën ngjarje ka marr pjesë ministrja e  Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Arben Papadhopulli nga Asistenca Teknike e Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të bizneseve, të OJQ-ve dhe akterë të interesuar.

Programi “Evropa Digjitale” është një iniciativë e Bashkimit Evropian që synon të mbështesë transformimin digjital të Evropës duke ofruar mbështetje financiare dhe teknike për projekte në fushën e teknologjisë, infrastrukturës dhe sigurisë kibernetike.

Ministrja Rizvanolli tha se si rezultat i angazhimit të Ministrisë së Ekonomisë tani më edhe Republika e Kosovës është e barabartë me të gjitha vendet tjera të BE-së si pjesë e këtij programi kaq të rëndësishëm dhe shtoi se si Qeveri po punojmë që të krijojmë infrastrukturën e ambientin më të mirë të punës për sektorin e TIK-ut e për të bërë Kosovën deri në vitin 2030 një vend të digjitalizuar dhe modern me një ekonomi të avancuar.

Ajo përmendi raportin Emerging Europe’s Future of IT, ku Kosova shënon pikën e parë për talent, e matur me numrin e studentëve në fushat e lidhura me TI-në në arsimin e lartë për 100 mijë banorë, e dyta në infrastrukturë dhe e para në rajon për konkurrencë (e 11-ta në përgjithësi) dhe theksoi se mbi 70% e kompanive të TIK-ut eksportojnë shërbimet e tyre, duke e bërë Kosovën një destinacion tërheqës për industrinë globale të teknologjisë së informacionit.

Ndërsa Arben Papadhopuli, nga Asistenca Teknike e Bashkimit Evropian i informoi të pranishmit me procedurat e aplikimit, me procedurat e regjistrimit për thirrjet për të cilat bizneset, OJQ-të janë të interesuar të aplikojnë dhe të japin kontributin e tyre.

Programi fokusohet në 4 fusha e që të katërtat janë në përputhje të plotë me punën dhe synimet e Qeverisë për digjitalizim e sektor të TIK-ut:

Resurset kompjuterike me performancë të lartë;

  • Inteligjenca artificiale (IA);
  • Shkathtësitë e avancuara digjitale;
  • Përshpejtimi dhe shfrytëzimi më i mirë i kapaciteteve digjitale dhe ndërveprueshmëria (interoperabiliteti).

Programi i Evropës Digjitale i cili është votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës  përveç bizneseve private, organizatave jo qeveritare të vendit iu mundëson edhe institucioneve të Republikës së Kosovës të kenë qasje të barabartë në fondet prej 7.5 miliardë euro krahas kolegëve nga mbi 26 shtete evropiane e rajonale.