Rekomandohet themelimi i ndërmarrjes publike për ruajtjen e energjisë
Prishtinë, 24.01.2024 – Komisioni Ndërministror për Ndërmarrjet Publike ka miratuar 20 projekte për financimin e ujësjellësve, për të cilat investime Ministria e Ekonomisë ka ndarë 5.116.200 euro, si subvencione për 7 kompanitë rajonale të ujësjellësve.
Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku ka njoftuar se gjatë takimit, Qeverisë i është rekomanduar të themelojë ndërmarrjen publike të ruajtjes së energjisë, e cila do të operojë sistemin e baterive me kapacitet 170 MW, që ndërtohet nga Programi Kompakt në vlerë prej 236,7 milionë dollarësh, prej të cilave 202 milionë dollarë grant nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Shteteve të Bashkuara.
Në takim e Komisionit Ndërministror për Ndërmarrjet Publike është miratuar edhe përkrahja në vlerë prej 689.275 euro për ndërmarrjet e hekurudhave, për riparimin e trenave dhe mirëmbajtjen e linjave hekurudhore.
Projektet e ujësjellësve që do të financohen janë:
Rezervuari i ujit të pijes për Bardhin e Madh, Grabovcin dhe Mesbardhin;
Rrjeti i ujësjellësit në Kishnicë;
Rehabilitimi i kanalizimit në fshatrat e Shtimes;
Rrjeti i ujësjellësit në Herticë;
Rrjeti i ujësjellësit në Orllan, Turuçicë e Kalaticë;
Rrjeti i ujësjellësit në fshatrat malore të Vushtrrisë: Karaçë, Studime, Samadrexhë, Dumnicë e Ulët, Dumnicë e Mesme, Dumnicë e Epërme, Ropicë dhe Maxhunaj;
Rrjeti i ujësjellësit në Melenicë, Maxherë, Zijaçë dhe Vllahi të Shalës, komuna e Mitrovicës;
Rrjeti i ujësjellësit në Qirez, Baks, Prelloc, Kozhicë dhe Dashec të Skenderajt;
Blerja e pompave për fshatrat Zhazhë, Boletin dhe Kelmend të Zveçanit;
Rezervuarit dhe stacionit të pompave për sistemin e kanalizimit në fshatrat Poçest, Gorazhdec dhe Ramun të Pejës;
Ndërrimi i filtrave të ujit në fabrikën e ujit të pijes në Klinë;
Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit për vendbanimet Krushë e Madhe, Piranë, Zojz, Medvec dhe Mamushë;
Rrjeti i ujësjellësit “Gjakova III” për fshatrat Lugbunar, Osek-Hilë dhe Skivjan;
Furnizimi me ujë të pijshëm për fshatrat Hoçë e Madhe, Zoçishtë dhe Opterushë dhe zonën industriale të Rahovecit;
Hapja e puseve dhe rrjeti i ujësjellësit në fshatin Gërnçarë të Prizrenit;
Zgjerimi i kapaciteteve të furnizimit, digjitalizimi dhe ngritja e cilësisë së shërbimeve të ujësjellësit në rajonin e Ferizajit;
Ndërtimi i kanalizimit në Lagjen 8, rrugët Tahir Sinani dhe Nekibe Kelmendi, të Gjilanit;
Rehabilitimi i fabrikës së ujit në Velekincë të Gjilanit;
Rrjeti i ujësjellësit në fshatin Karaçevë;
Kyçjet në sistemin e ujit të pijshëm për 6 fshatra të Kamenicës: Shipashnicë, Muçivërcë, Roganë, Hodonoc, Novosellë dhe Dajkoc.