Rizvanolli: Inxhinieret janë shembuj të shkëlqyeshme për vajzat e reja
Prishtinë, 12.10.2023 – Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli së bashku me vajzat e Asamblesë Komunale për Fëmijë në Prishtinë, e kanë vizituar objektin e KEDS-it, Ndërtesën e Elektrokosovës dhe Qendrën Dispecerike.
Me këtë rast, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se vajzat e gratë e reja dëshmojnë çdo ditë, që pjesëmarrja e tyre aktive në vendin e punës e në edukim, në përqindje sa më të mëdha, e rritë kualitetin e punës dhe rezultatet janë menjëherë të dukshme.
“Kjo është e vërtetë veçanërisht në sektorët, të cilët historikisht dominohen nga burrat. Sot në Ditën Ndërkombëtare të Fëmijës Vajzë, së bashku me vajzat e Asamblesë Komunale të fëmijëve në Prishtinë, me Luljeta Demolli, drejtoreshë e Qendra Kosovare për Studime Gjinore, Valbona Kadrija, drejtoreshë e Departamentit të KEDS Energy për Burime Njerëzore dhe Genta Gagica nga Save the Children Kosova/o, kemi vizituar KEDS-in ku kemi vizituar Qendrën Dispeçerike, e kemi diskutuar me inxhiniere, të cilat janë shembuj të shkëlqyeshme për vajzat e reja”, pohoi Rizvanolli.
Ajo po ashtu ka shtuar se këto takime më shumë se vajzat na inspirojnë neve, që të vazhdojmë me hov punën drejt krijimit të mundësive të barabarta e thyerjes së barrierave ekzistuese.
Aktiviteti është organizuar nga Qendra Kosovare për Burime Njerëzore, Sweden Sverige dhe Save dhe Children, ku veç Ministres Rizvanolli, në këtë aktivitet kanë folur edhe Luljeta Demolli, drejtoreshë ekzekutive e QKSGJ-së dhe Valbona Kadrija, drejtoreshë e Departamentit për Burime Njerëzore në KEDS.
Dita Ndërkombëtare e Fëmijës Vajzë shënohet çdo vit më 11 tetor, datë e caktuar nga Kombet e Bashkuara për të inkurajuar barazinë gjinore.