Ministrja Rizvanolli dhe ministrja Balluku kanë nënshkruar dy marrëveshje bashkëpunimi në fushën e energjisë

Prishtinë, 21.06.2022 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli dhe Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e Republikës së Shqipërisë, Belinda Balluku kanë nënshkruar sot dy memorandume  bashkëpunimi  ndërqeveritar.

Memorandumi i parë i nënshkruar, ai i bashkëpunimit në sektorin e energjisë ka për qëllim intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh në përputhje me strategjitë e  dy vendeve me fokus ndër këmbimin e energjisë, si dhe për herë të parë në bilancin e përbashkët energjetik.

Përmes këtij memorandumi, udhëzohen operatorët publik të gjenerimit Korporata Elektro Energjetike e Kosovës (KEK) dhe Korporata Energjetike Shqiptare (KESH) të bashkëpunojnë në shkëmbimin dhe optimizmin e portfolios së energjisë elektrike ndërmjet dy ndërmarrjeve për të mundësuar sigurinë e furnizimit me energji elektrike për të dy vendet tona, dhe tejkalimin sa më të lehte të krizës energjetike.

Memorandumi i dytë i nënshkruar sot, ai i bashkëpunimit mbi zhvillimin e terminalit LNG të Vlorës, ka për qëllim krijimin e një kuadri të bashkëpunimit mes dy vendeve, zhvillimin e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë elektrike nga LNG si dhe ri-afrimin e vullnetit dhe gatishmërisë tonë për planifikim afatgjatë të infrastrukturës dhe zhvillimin e koordinuar të lidhjes Shqipëri – Kosovë, me fokus përmirësimin e sigurisë energjetike dhe furnizim të besueshëm me energji.

Thellimi i bashkëpunimit rajonal, veçanërshit mes Kosovës e Shqipërisë, mbetet prioritet i lartë për ne e veçanërisht me situatën botërore energjetike që vazhdon të rëndohet, tha ministrja Rizvanolli.

Ajo gjithashtu shtoi se; “thellimi dhe konkretizimi i bashkëpunimit tonë janë elementet kyçe për garantimin e sigurisë së furnizimit, optimizimin e portofolios së energjisë elektrike, si dhe tejkalimin sa më të lehtë të krizës energjetike”.