U mbajt takimi i dytë harmonizues për organizimin e Samitit Dixhital të Ballkanit Perëndimor Prishtina 2022

Bruksel,  11.05.2022 – Këtë vit Republika e Kosovës përkatësisht Ministria e Ekonomisë së bashku me Këshillin për Bashkëpunim Rajonal (RCC), do të organizojnë Samitin Dixhital të Ballkanit Perëndimor – Prishtina 2022.

Kjo ngjarje çdo vit organizohet në kryeqytetet e Ballkanit Perëndimor dhe mbulon tema mbi Shkathtësitë Dixhitale, Infrastrukturën dhe Shërbimet, Besimi dhe Siguria dhe Ekonomia Dixhitale.

Me qëllim të prezantimit të draftit të parë të axhendës të Samitit Dixhital të këtij viti, në Bruksel është mbajtur takimi i dytë i komitetit drejtues të Samitit Dixhital.

Në këtë takim axhenda u prezantua nga përfaqësuesit e Ministrisë se Ekonomisë të Republikës së Kosovës së bashku me përfaqësues të sektorit privat dhe OJQ-ve.  Takimi u drejtua nga përfaqësuesit e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal së bashku me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë të Kosovës, si nikoqir i ngjarjes për këtë vit.

Të pranishëm në takim ishin përfaqësues të Komisionit Evropian, përfaqësues nga shtetet rajonale dhe palë të tjera të interesit.

Samiti dy ditor do të mbahet më  21-22 shtator 2022 në Prishtinë ku do të presë nivele të lartë pjesëmarrësish nga Komisioni Evropian, shtetet e Ballkanit Perëndimor si: kryeministra, ministra dhe përfaqësues e pjesëmarrës të shumtë.

Interesimi ndaj axhendës së prezantuar ishte mjaft i madh ku edhe nuk munguan diskutimet dhe sugjerimet për zhvillimin tutje të axhendës deri në finalizimin e saj.