Mbahet Komisioni i 7-të i përbashkët mes Kosovës dhe Luksemburgut

Prishtinë, 04.04.2022 – Sot është mbajtur Komisioni i Shtatë i Përbashkët mes Republikës së Kosovës dhe Dukatës së Madhë të Luksemburgut, i udhëhequr nga Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi dhe Ministri për Bashkëpunim Zhvillimor dhe Çështje Humanitare, njëherit Ministër i Ekonomisë, Franz Fayot.

Në këtë Komision kanë marrë pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci.

Gjatë takimit, ministrat e Republikës së Kosovës kanë prezantuar mundësitë e bashkëpunimit dhe të investimeve në Kosovë në sferat e tyre përkatëse.

Ministrja Rizvanolli ka ndarë zhvillimet dhe planet për fushën e TIK-ut me fokus në digjitalizim si dhe për fushën e energjisë, me fokus në zhvillimin e burimeve të ripërtërishme të energjisë duke ruajtur sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë për konsumatorët.

Ministrja Rizvanolli së bashku me Ministrin Fayot kanë theksuar që digjitalizimi mbetet sektor prioritar për të dyja shtetet dhe mundësi e shkëlqyeshme e bashkëpunimit për zhvillim të mëtutjeshëm të dyanshëm, bashkëpunim ky i cili pritet të konkretizohet gjatë muajve në vijim.