Ministrja Rizvanolli dhe Ministri Aliu takohen me Viola von Cramon – Taubadel

Prishtinë, 03.03.2022 – Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli dhe Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), Liburn Aliu së bashku me përfaqësues të kabineteve janë takuar me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon – Taubadel, e shoqëruar nga bashkëpunëtorët.

Gjatë takimit, Ministrat Rizvanolli dhe Aliu i kanë paraqitur eurodeputetes Cramon punët dhe planet e ministrive përkatëse për zhvillim të sektorëve në përputhje me objektivat dhe direktivat e Bashkimit Evropian, në veçanti sa i përket mbrojtjes së mjedisit dhe dekarbonizimit të sektorit të energjisë.

Tutje është diskutuar për projekte konkrete në të cilat MMPHI dhe ME mund të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të përmirësuar më tej mirëqenën ekonomike dhe sociale të qytetarëve të Kosovës.

Von Cramon shprehi mirënjohjen për përkushtimin dhe përfshirjen e ministrave për të zhvilluar sektorët përkatës.