Shënohet 37-vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës

Mitrovicë, 20.02.2026 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Javës së Minatorit në minierën e Stantërgut, e cila përkujton grevën e shkurtit 1989, në mbrojtje të së drejtës së Kosovës për vetëqeverisje.
Në fjalën e tij, z. Mjeku tha se ngjarja e 37 viteve më parë shënoi fillimin e përpjekjes së gjatë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Ai foli për planet e Qeverisë për të zhvilluar sektorin minierar, duke e ndërlidhur atë me zhvillimin ekonomik dhe sigurinë kombëtare dhe duke vendosur ndërmarrjen Trepça në qendër të sektorit.
Zëvendësministri Mjeku shpjegoi se Trepça do të zhvillohet në partneritet me një kompani me renome nga një vend mik, ndërsa shteti do të investojë 50 milionë euro për të skanuar burimet tona dhe për t’i vënë ato në shërbim të zhvillimit.
Në ceremoni morën pjesë udhëheqësit e ndërmarrjes, sindikatat e punëtorëve si dhe personalitete të vendit.
Greva e minatorëve të Trepçës u mbajt nga 20 deri më 28 shkurt 1989, kur rreth 1300 minatorë hynë në grevë urie për të kundërshtuar masat represive të regjimit të atëhershëm të kriminelit Sllobodan Milosheviç. Kjo grevë u shndërrua në një simbol të qëndresës dhe unitetit qytetar, duke mobilizuar mbështetje të gjerë popullore dhe duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.