Certifikohen 46 auditorë të rinj të energjisë

Prishtinë, 18.07.2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Arben Hajrullahu, kanë bërë sot shpërndarjen e certifikatave për auditorët e rinj të energjisë, në Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ).

Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se kjo arritje është një dëshmi e përpjekjeve serioze që po bëhen për të fuqizuar burimet tona njerëzore në fushën e efiçiencës së energjisë, teksa shtoi se këta auditorë do t’i bashkohen rrjetit më të madh prej 318 auditorësh të certifikuar në gjithë Kosovën.

“Së bashku me Universitetin e Prishtinës, përkatësisht me Qendrën për Energji dhe Qëndrueshmëri (QEQ), e autorizuar nga Ministria e Ekonomisë para disa viteve dhe tashmë është shndërruar në një adresë të besueshme për trajnime profesionale në këtë fushën e auditimit energjetik. E paraparë me mision të qartë në rregulloren e saj, Qendra ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e kapaciteteve vendore dhe në përgatitjen e ekspertëve që i nevojiten tregut dhe jo vetëm tregut por edhe shtetit, meqenëse politikat tona në efiçiencë të energjisë janë shumë të rëndësishme dhe një pjesë e rëndësishme e Strategjisë sonë të Energjisë 2022-2031”, ka thënë ministrja.

Rektori Hajrullahu e vlerësoi punën e bërë nga QEQ për trajnimin e auditorëve të rinj, teksa shtoi se Kosova ka potencial për zhvillimin e burimeve të ripërtërishme.

Ndërsa, Bedri Dragusha, Koordinator i Trajnimit për Auditorë të Energjisë tha se trajnime të tilla do të tilla do të organizohen edhe në të ardhmen.