Ministrja Rizvanolli merr pjesë në certifikimin e 300 të rinjve në “ICT for Kosovo’s Growth”
Prishtinë, 04.07.2025- Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në ceremoninë e certifikimit të rreth 300 të rinjve në “ICT for Kosovo’s Growth”. Me këtë rast, ministrja Rizvanolli tha se ky projekt ka dhënë rezultate për mbi 3,000 të rinj dhe të reja me mbi 2,500 të certifikuar.
“Trajnime të tilla nuk kanë të bëjnë vetëm me aftësitë dhe vendet e punës, por kanë të bëjnë me mundësitë. Prandaj, jam veçanërisht e lumtur që 43%, mbi 1,000 e të diplomuarve të këtyre trajnimeve janë gra të reja nga Kosova. Këto aftësi ndihmojnë në mbylljen e hendekut midis potencialit dhe punësimit dhe krijojnë themelet për një ekonomi më të fortë dhe më konkurruese të Kosovës”, tha ministrja Rizvanolli.
Ministrja falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm në forcimin e kapaciteteve dixhitale të Kosovës, por edhe të sektorit të energjisë dhe rritjes dhe zhvillimit institucional gjatë viteve.
Tutje ajo tha se mbështetja nga BE u ka mundësuar mijëra të rinjve të kenë akses në trajnime me cilësi të lartë në fusha që kanë rëndësi për të ardhmen tonë dhe për të ardhmen tuaj.
Ministrja për fund u uroi suksese në karrierë të certifikuarve dhe shtoi se “Kosova ka nevojë për idetë, ambicien dhe kontributin tuaj për zhvillimin tonë shoqëror, si dhe atë ekonomik”.
Ndërsa të pranishmit patën mundësinë që të dëgjojnë edhe folësit në panelin me temën “From Training to Employment”.