Zv.ministri Koci priti zyrtaren e Departamentit të Shtetit, Christy Machak

Prishtinë, 03.12.2013 – Zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci ka pritur në takim Christy Machak, zyrtare e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, me të cilën ka diskutuar zhvillimet e fundit ekonomike në vend, e veçanërisht të arriturat në fushën e energjisë.

Në fokus të këtij takimi ishte sektori i energjisë, ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re” si dhe angazhimet e MZHE në zbatimin e efiçiencës së energjisë, ku zv.ministri Koci ka informuar zyrtaren amerikane për projektet konkrete që janë duke u ndërmarrë në këtë fushë.

Me këtë rast Koci ka siguruar znj.Machak se Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Zhvillimit Ekonomik do të angazhohet që të respektohen standardet mjedisore të Bashkimit Evropian me rastin e implementimit të projekteve energjetike.

Në takim po ashtu është diskutuar edhe mundësia e rivitalizimit të ndërmarrjes “Trepça”, gjenerimi si dhe punësimi në këtë aset. Pjesë e diskutimit ishte edhe procesi i privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.