Zviceranët ftohen të investojnë në Kosovë

Lozanë, 27.10.2012 –  Drejtuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë  Tregtisë dhe Industrisë u kanë bërë thirrje investitorëve zviceranë që të investojnë në Republikën e Kosovës duke prezantuar potencialin e vendit dhe mjedisin biznesor që ofron korniza ligjore dhe institucionale e Kosovës. 

Këto komente i pari i MZHE-së, Besim Beqaj dhe e para e  MTI-së, Mimoza Kusari i bënë në konferencën “Investimet dhe Mundësitë Tregtare në Kosovë”, e cila u mbajt në Lozanë të Zvicrës e cila u organizua nga Agjencia për Promovimin e Investimeve në Kosovë në bashkëpunim me  Odën Tregtare të Zvicrës, Nismën Ekonomike për Kosovë (ECIKS) dhe Ambasadën e Kosovës në Zvicër.

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e MTI-së, Mimoza Kusari – Lila, tregoi se Kosova po lëviz drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe se reformat që janë duke u marrë për përmirësimin e ambientit për të bërë biznes, tashmë u konfirmuan edhe nga Banka Qendrore ”.

Kosova ka pasur përparimin më të shpejt nga të gjitha vendet e Evropës Juglindore. Nga pozita 126 këtë vit jemi renditur në pozitën 98-të: një ngritje prej 28 pozitash, – theksoi Kusari – Lila.

Me këtë rast, ministri Beqaj, prezantoi projektet e privatizimit dhe potencialin e investimeve në sektorin minerar, energjetik si dhe në sektorin e telekomunikacionit. Ai theksoi se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar  të implementojë reformat strukturore të cilat kanë për qëllim forcimin e sektorit privat.

Në konferencë, drejtues të Agjencisë për Promovimin e Investimeve prezantuan mundësitë që ofron Kosova për investitorë si: fuqia e lirë punëtore masa preferenciale me SHBA, Japoni, Norvegji dhe BE.

Audiencës iu drejtuan edhe investitorë nga Zvicra që tanimë punojnë në Kosovë siç është kompania “Moderna”, që operon në Gjakovë. Gjithashtu u prezantuan edhe mundësitë e financimit të projekteve investuese nga Qeveria e Zvicrës.