Zv. Ministri Arifaj merr pjesë në eventin “Diversiteti gjinor në sektorin e energjisë”

Prishtinë, 18.05.2022 – Nën organizimin e Shoqatës së Grave në Sektorin e Energjisë në Kosovë (AWESK), e mbështetur nga GIZ në Prishtinë, është mbajtur eventi “Diversiteti gjinor në sektorin e energjisë”, në të cilën ngjarje ka marr pjesë zëvendësministri i Ekonomisë, Mentor Arifaj, Agjencia për Barazi Gjinore (ZKM), USAID – TetraTech, si dhe gra nga sektorë të ndryshëm.

Zv. ministri Arifaj tha se sektori i energjisë është shtylla kryesore e zhvillimit ekonomik në vendin tonë, mirëpo ky sektor po kalon nëpër një tranzicion andaj nuk mund të ketë tranzicion final e të suksesshëm të sektorit të energjisë në vendin tonë pa u përfillur vullneti, mendimet dhe kreativiteti i gjysmës se popullatës sonë.

Tutje Arifaj shtoi se duke u bazuar në të dhënat që kemi në Kosovë gratë dhe vajzat në sektorin e energjisë janë të nënpërfaqësuara ku përfaqësimi është nën 10%, mirëpo gjithpërfshirja gjinore duhet të jetë e pranishme në çdo institucion arsimor e në veçanti në atë të sektorit të energjisë, kështu që do të eliminohen barrierat për gratë dhe vajzat që do të merren me energji.

Poashtu zv. ministri Arifaj potencoi se një tranzicion energjetik i suksesshëm do të ketë nevojë për ekspertë dhe kuadro profesionale duke përfshirë këtu  gratë dhe vajzat nga sektori i energjisë gjë që do të ndikonte edhe në  rritjen e numrit të të punësuarve në këtë sektor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke ndërmarrë hapa të nevojshëm për të stimuluar numrin e vajzave në lëmit shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë (STEM), gjë që do të ketë impakt në rritjen e përfaqësimit gjinor në Ndërmarrjet Publike dhe gjithashtu kemi dhënë rekomandime që gjatë punësimit të merret parasysh diversiteti gjinor”, tha Arifaj.

Duke marrë parasysh faktet dhe rolin e gruas në sektorin e energjisë AWESK ka publikuar një dokument ku analizohen sfidat, barrierat, mundësitë dhe avantazhet në arritjen e mundësive të barabarta për vajzat dhe gratë në Kosovë.

Gjithashtu në këtë ngjarje do të mbahen dy panele diskutimi me pjesëmarrjen e akterëve kryesorë të barazisë gjinore dhe specialistëve të sektorit të energjisë.