Zëvendësministri Mjeku merr pjesë në mbledhjen ministrore të Komunitetit të Energjisë, shënohet 20-vjetori i organizatës
Athinë, 21.07.2025 – Zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe drejtori i Departamentit të Energjisë në ME, Luan Morina, morëm pjesë në mbledhjen joformale të Këshillit të Ministrave të Komunitetit të Energjisë, organizatës që lidh rajonin me tregun e Bashkimit Evropian.
Mbledhja, që shënoi 20-vjetorin e organizatës, u mbajt në Athinë, aty ku u nënshkrua traktati themelues. Bashkëpunimi rajonal dhe ndryshimet klimatike ishin temat kryesore të diskutimit.
Në fjalën e vet, zëvendësministri Mjeku rikujtoi se “Kosova nuk ishte ende shtet i pavarur kur iu bashkua Komunitetit të Energjisë. Por populli ynë ka qenë dhe mbetet i përkushtuar ndaj integrimit. Strategjia jonë përthekon çdo cep të trilemës moderne të energjisë: mbrojtjen mjedisore e klimatike, sigurinë e furnizimit dhe përballueshmërinë”.
“Ne po mbështesim ndërtimin e kapaciteteve të qëndrueshme përmes ankandeve të energjisë nga dielli e era dhe përmes investimeve në ndërmarrjet publike. Po nxitim gjithashtu efiçiencën energjetike, duke përkrahur amvisëritë, institucionet dhe bizneset. Së fundmi kemi punuar rreth skemës mbështetëse për bizneset që do të blejnë energjinë në treg të lirë, siç kërkohet me rregullat e BE-së”, tha zëvendësministri Mjeku.
Tutje, Mjeku foli për integrimin rajonal, ku theksoi se liberalizimi rrit vëllimin e tregtisë në ALPEX, bursën e përbashkët Kosovë–Shqipëri, që ka nisur operimet ndërkufitare më 2024 dhe duke ndjekur këtë shembull, ekipet tona po punojnë tani për bashkimin e tregjeve me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë.
“Por pengesë për integrimin rajonal është Serbia, ajo mban të pashfrytëzuar kapacitetet e transmisionit me Kosovën, çka po stërngarkon ndërlidhjet me shtetet e tjera, po shkakton kosto të panevojshme dhe po pengon transicionin e blertë në përgjithësi. Bashkëpunimi është thelb i traktatit të Komunitetit të Energjisë, dhe është e dhimbshme që palët nënshkruese të mos zbatojnë detyrimet e tyre as pas 20 vitesh”, theksoi Mjeku.
Në diskutimet rreth klimës, ministri Aliu dhe zëvendësministri Mjeku përmendën sfidat e Kosovës, duke theksuar mungesën e qasjes në mekanizma shumëpalësh siç është Konventa Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC). Por, shtuan se Kosova ka ndërmarrë veprime të rëndësishme të zbutjes dhe do të ndjekë nisma të përshtatjes klimatike.
Zëvendësministri Mjeku bëri thirrje që Komuniteti i Energjisë të jetë platformë e duhur për të adresuar sfidat tona në të ardhmen.