Vlerësohet bashkëpunimi mes Postës së Kosovës dhe Postës Sllovene

Prishtinë, 07.08.2013 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka vlerësuar rëndësinë e nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit në mes të Postës së Kosovës dhe Postës Sllovene që ka për qëllim avancimin e bashkëpunimit në këtë fushë dhe përmirësimin e shërbimeve.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri gjatë takimit që zhvilloi me Drejtorin Gjeneral të Postës Sllovene, Boris Novak, ku i pranishëm ishte edhe kryeshefi i Postës së Kosovës, Sh.A. Sejdi Hoxha.

Bashkëbiseduesit konstatuan se ky memorandum i mirëkuptimit synon ndërtimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore përmes trajnimeve në fusha te ndryshme, këshillëdhënie nga ana e Postës Sllovene si dhe përdorimin e teknologjive të avancuara që do të ndikojnë jashtëzakonisht në përmirësimin e kualitetit të shërbimeve me ç’rast do të hapen dyert e tregut ndërkombëtar përmes ekspertizës së përbashkët.

Ministri Ismajli theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit dhe identifikimin e fushave të interesit të përbashkët si dhe shkëmbimin e përvojave profesionale nga ekspertë të të dy palëve nënshkruese.