Vazhdon realizimi i pagesave për subvencionimin e pajisjeve efiçiente

Prishtinë, 30.01.2024 – Ministria e Ekonomisë ka vazhduar me procesimin e pagesave për përfituesit e thirrjeve për subvencionimin e pajisjeve efiçiente shtëpiake dhe pajisjeve efiçiente për ngrohje.

Pas alokimit të Buxhetit për vitin 2024 pagesat kanë vazhduar të realizohen dhe se do të vazhdojnë deri në përfundim të procesit.

Ky proces është rezultat i përkushtimit dhe punës së palodhur të komisioneve për shqyrtimin dhe verifikimin e dokumenteve, të cilat po operojnë me një intensitet të lartë ditëve të punës dhe gjithashtu edhe në vikend.

Sipas komisionit vlerësues rreth 5000 aplikime për pajisje ngrohëse janë ende në fazën e trajtimit, ndërsa subvencionimi i pajisjeve elektroshtëpiake dhe paneleve solare për ngrohjen e ujit sanitar për familje është realizuar në tërësi.

Me realizimin e pagesave në vitin 2024, kemi arritur të realizojmë një shumë prej 1,815,593.72 euro për pajisje efiçiente, duke subvencionuar në këtë mënyrë 4,041 familje. Ndërsa gjatë vitit 2023 janë paguar 4,994,037.02 euro dhe përfitues janë 10,989 familje.
Pra deri më tani pagesat janë realizuar për 15,030 familje.

Ndërsa, afati për aplikim vazhdon të jetë i hapur deri më 31 janar 2024 për subvencionim të pajisjeve efiçiente për ngrohje për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

Linku për aplikim i thirrjes për NMVM: https://rks-gov.net/476
Informatat e plota të thirrjes për NMVM: http://bit.ly/info-kriteret