Vazhdojnë negociatat në Uashington për programin Kompakt me MCC-në

Uashington, 10.05.2022 – Të premten më 5 maj, Kryeministri Albin Kurti hapi negociatat zyrtare për Programin Kompakt me MCC-në në Uashington. Ky proces negociator në Uashington po udhëhiqet nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila po drejton një ekip negociator të përbërë me specialistë të fushave të energjisë, ekonomisë dhe drejtësisë. Negociatat për programin e Kompaktit me MCC-në do të zgjasin deri në fund të javës dhe gjatë sesioneve negociatore do të definohen detajet dhe specifikat teknike në lidhje me projektin.
 
Projekti i Kompaktit do të jetë faktor kyç për mundësimin e tranzicionit energjetik të Kosovës përmes ndërtimit të kapaciteteve akumuluese të energjisë, zhvillimit të shkathtësive të fuqisë punëtore dhe rritjen e përfaqësimit të grave në sektorin e energjisë. Kompakti pritet të kalojë vlerën e më shumë se 200 milionë dollarëve amerikan dhe paraqet projektin më të madh energjetik në histori të Kosovës.
 
Gjatë negociatave, Ministrja Rizvanolli falënderoi ekipin për zhvillimin e Kompaktit dhe zyrtarët e MCC-së për zhvillimin e një projekti inovativ dhe të dobishëm për ekonominë kosovare.
 
Tutje, Ministrja Rizvanolli theksoi se ky projekt është një dëshmi e fuqishme për lidhjen e ngushtë në mes të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në fund, Ministrja Rizvanolli shprehi falënderimet më të mëdha për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ju referuar si një “shtet mik e aleat i kohëve tona më të vështira”.