Uji garantues i zhvillimit të qëndrueshëm

Prishtinë, 05.11.2015 – “Uji është thelbi i zhvillimit të qëndrueshëm. Burimet e ujit dhe numri i madh i shërbimeve që ofron mbështesin uljen e varfërisë, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë e mjedisit, duke kontribuar në përmirësimin e mirëqenies sociale”, është shprehur zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besaj Zogaj-Gashi, gjatë Konferencës dhe Ekspozitës së tretë të përbashkët Ballkanike me temë “Uji dhe Zhvillimi i Qëndrueshëm”.

Me këtë rast, zv.ministrja Gashi tha se sipas të dhënave gati një e treta e popullsisë së Botës nuk kanë qasje në ujë të pijshëm, ndërsa 2.5 miliardë nuk kanë qasje në strukturë të përmirësuar të kanalizimeve, dhe supozohet se në vitet e ardhshme, sidomos në vendet në zhvillim problemi i furnizimit me ujë do të thellohet gjithnjë e me shumë, si pasojë e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së popullsisë globale.

Ajo tha me tej se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të trajtojë me seriozitet çështjen e ujit dhe furnizimit me ujë për qytetarët duke investuar në këtë drejtim.

Ndryshe në këtë konferencë triditore po marrin pjesë përfaqësues nga shtetet e rajonit dhe me gjerë, ndërsa do të diskutohen mundësitë e përmirësimit të shërbimeve në këtë sektor.

Konferenca është organizuar nga Shoqata e Ujësjellësve dhe Kanalizimit të Kosovës – SHUKOS dhe Shoqata Ujësjellës-Kanalizime e Shqipërisë – SHUKALB, në partneritet me shoqatat nga Maqedonia dhe Mali i Zi.