U inaugurua Trafostacioni Prishtina 7
Prishtinë, 19 dhjetor 2012 – Sivjet ka pasur furnizim shumë më kualitativ dhe pa ndërprerje me energji elektrike. Kjo është arritur falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK-ut, ne i falënderojmë punëtorët të cilët kanë bërë që zhurma e agregateve të harrohet, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, me rastin e inaugurimit të Trafostacioni “Prishtina 7”.
“Ne si Qeveri kemi avokuar shumë për furnizim dhe krijimin e mundësive të drejtpërdrejta të bizneseve për të marrë shërbime cilësore konform obligimeve që ata i kanë në raport me KEK-un. Ky investim prej 5 milionë euro është investim i KEK-ut, taksapaguesve të Kosovës dhe nga momenti i lëshimit në operim do t’i transferohet KOSTT-it”, tha Beqaj.
Sipas Ministrit Beqaj, ky nënstacion është me rëndësi të veçantë sepse të gjitha këto vendbanime të cilat lidhen me këtë nënstacion do të kenë cilësi me energji elektrike shumë më të fuqishme dhe i mundësohet një linjë alternative QKUK-së që në çdo kohë kur ka defekte të ketë furnizim të rregullt me energji elektrike dhe të gjitha bizneset të cilat operojnë në këtë hapësirë mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që jeta e qytetarëve të jetë prioritet dhe ne gjatë këtij viti kemi arritur që të nënshkruajmë mbi 85 milionë euro kontrata afatshkurta dhe afatgjata të cilat janë kontrata me donatorët në buxhetin e Qeverisë së Kosovës dhe në buxhetin e komunave për investime në ndërmarrjet publike kryekëput për të ndikuar në cilësinë e jetës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa është shprehur i kënaqur me investimin në pjesën jugore të kryeqytetit ku janë lagje të ndjeshme me çka KEK e ka zgjidhur një problem të madh për banorët dhe bizneset që operojnë në këtë pjesë”, tha Mustafa.
Nga lëshimi në punë i këtij trafostacioni do të përfitojnë direkt konsumatorët në lagjet si: Veterniku, Lagja e Spitalit, Mati 1, Hajvalia dhe Çagllavica. Përfitues do të jenë edhe miniera e Kishnicës dhe asetet e ndërmarrjes për furnizim me ujë “Prishtina”.
Një dalje e veçantë do të jetë edhe për Qendrën Klinike Universitare, e cila do të rritë sigurinë e furnizimit në rast të prishjeve edhe pse ekziston një dalje rezervë, tashmë do të jenë dy të tilla.
Trafostacioni i ri 110/10(20)kV Prishtina 7 ka fuqi instaluese 2×40 MVA.

