Trepça po i kthehet gjeneratave të ardhshme të Kosovës
Prishtinë, 15.04.2014 – Zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Fadil Ismajli dhe Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi, kanë vizituar sot Kompleksin “Trepça”, ku menaxhmentin dhe punëtorët e kësaj ndërmarrje e kanë njoftuar me hapat që ka ndërmarrë Qeveria e Kosovës që këtë aset ekonomik ta kthejë në pronësi publike.
Zv.kryeministri Pacolli me këtë rast tha se investimet e para do të ndodhin me vetëfinancim të kompanisë dhe pikërisht në impiantet e flotacionit ku mineralet që nxirren nga rezervat begatohen dhe arrihet një koncentrat komercial që do t’i hapë perspektivë “Trepçës”.
“Trepça” si NP nuk privatizohet dhe nuk koncesionohet por do t’i kthehet minatorëve dhe gjeneratave të Kosovës dhe si e tillë duhet të trajtohet sipas normave të tregut global të mineraleve”, tha Pacolli.
Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka thënë se detyra e parë që i ka vënë vetes pas marrjes së detyrës ka qenë t’ia kthejë namin dhe rëndësinë që “Trepça” ka pasur si aset, i cili ndikon në zhvillim ekonomik, ndërsa shtoi se shndërrimi i saj në ndërmarrje publike është e vetmja formë me të cilën do të marrë kahen e mbarë, ngase ajo ka pozicion të mirë edhe në tregjet ndërkombëtare.
Ai tha se Trepça do t’i ndihmojë Buxhetit të Kosovës, ngritjes së mirëqenies sociale, zhvillimit ekonomik dhe mbi të gjitha dinjitetin e minatorëve të Kosovës, të cilët sakrifikuan në këto 15 vjet dhe kanë mbajtur gjallë minierat e “Trepçës”.
Nga ana e tij, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi tha se fakti si është menaxhuar “Trepça” deri sot i ka penguar në mënjanimin e dëmeve që kanë ndodhur në mjedis me dekada, e sidomos në 15 vjetët e fundit, ndërsa tash me ligjin e ri, me menaxhmentin e ri do të jenë në gjendje që t’i mënjanojnë ato.
Ndërsa, Ahmet Tmava – Drejtor Menaxhues i “Trepçës”, tha se menaxhmenti i saj është mobilizuar që t’i marrë të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë në mënyrë që prodhimi dhe funksionalizimi i njësive të caktuara të bëhet sa më shpejt.
Tmava tha se kompania do të dalë me projekte konkrete posa të aprovohet ligji dhe të shndërrohet në ndërmarrje publike dhe me këtë interesim që ka Qeveria edhe Parlamenti Trepçës do t’i kthehet nami dhe pritjet e qytetarëve të Kosovës do të behën realitet.

