Trepça garancë e zhvillimit ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 30.01.2014 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili me bashkëpunëtorë ka vizituar sot Odën Ekonomike të Kosovës ku u takua me kryetarin, Safet Gërxhaliu, menaxhmentin dhe Anëtarët e Këshillit Drejtues të OEK-ut, me të cilët ka diskutuar për aktualitetin ekonomik në vend.
Me këtë rast, ministri Ismaili ka falënderuar Odën Ekonomike të Kosovës dhe komunitetin e biznesit për bashkëpunim të mirëfilltë dhe theksoi se MZHE është e përkushtuar në përmbushjen e synimeve strategjike, të cilat do të reflektojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe në stabilitetin social të saj përmes investimeve vendore dhe investimeve nga jashtë.
Kreu i MZHE-së tha se dje ka qenë një ditë e rëndësishme për ekonominë kosovare pasi kaloi në parim ligji mbi Trepçën i cili është i një rëndësie të veçantë dhe strategjik për Kosovën. Po ashtu janë bërë hapa pozitiv sa i përket Projektit Kosova e Re i cili është duke kaluar fazën e ristrukturimit dhe besojë se do të kemi fituesin e realizimit të këtij projekti madhorë.
Ai tha se po ashtu ka filluar ndërtimi i Autostradës Energjetike 400kV Kosovë – Shqipëri i cili projekt do t’i paraprijë tregut të përbashkët energjetik në mes të Kosovës dhe Shqipërisë por në të njëjtën kohë jemi duke punuar edhe në hartimin e strategjisë së energjisë në baza të tregut të hapur.
Ministri Ismajli ka përsëritur se kërkesat evropiane janë edhe përmbushja e objektivave për efiçiencë të energjisë si dhe në gjetjen e mundësive për burime të Ripërtritshme të Energjisë dhe krahas kësaj jemi duke punuar në modelimin ekonomik të Kosovës që nënkupton përgatitjen e Strategjisë të Zhvillimit të Përgjithshëm Ekonomik të Kosovës, e cila strategji ka munguar deri më tani në Kosovë dhe është një dokument i rëndësisë për të ardhmen e vendit.
Nga ana e tij, kreu i OEK-ut, Safet Gërxhaliu vlerësoi se të gjitha këto prioritete nga MZHE janë ato që i kërkon komuniteti i biznesit dhe sektori privat dhe realizimi i tyre është garancë e ardhmërisë ekonomike të Kosovës.
Ai u shpreh i kënaqur me faktin se tani kanë qasje pro aktive lidhur me ligjin mbi “Trepçën” dhe “Kosovën e Re” sepse që të dyja këto projekte janë garancë e punësimit, janë garancë e përmirësimit të bilancit të pagesave dhe rritjes së eksporteve, por mbi të gjitha janë garancë e tërheqjes së investitorëve strategjikë nga e mbarë bota. Dhe kur kësaj i shtohet edhe Strategjia Ekonomike Zhvillimore e Kosovës, atëherë me siguri Kosova do të ketë të qartë rrugëtimin drejt zhvillimit ekonomik.

