Trepça do të kalojë në pronësi të shtetit të Kosovës
Mitrovicë, 12.03.2014 – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i shoqëruar nga ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli dhe drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava ka vizituar sot Minierën “Trepça” në Stantërg të Mitrovicës, me ç’rast kanë qëndruar në horizontin e 10 të saj.
Kryeministri tha se është pranë minatorëve së bashku me të gjithë, për t’i dhënë mbështetje të plotë punës, në veçanti tash pas kalimit në Qeverinë e Kosovës të Projektligjit ndërmarrja “Trepça” shndërrohet në ndërmarrje publike, pronë e shtetit të Kosovës.
“Kjo është pronë e qytetarëve të Kosovës, është pronë e minatorëve, është pronë e shtetit të Kosovës, është një nga resurset më të fuqishme për zhvillimin ekonomik të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi, duke shprehur besimin se shumë shpejt edhe Kuvendi i Kosovës do t’a aprovojë projektligjin për “Trepçën”.
Sipas tij, Trepça është një nga gjigantët më të fuqishëm në Kosovë, rajon, por edhe në Evropë, është nderi, krenaria e qytetarit të Kosovës, edhe për kaluarën, të sotmen dhe do të jetë edhe në të ardhmen.
Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili falenderoi Qeverinë për përkrahjen e vazhdueshme në shndërrimin e Trepçës në pronësi publike të Kosovës.
“Ju premtoj se do të ecim përpara me hapa shumë më të shpejtë pas aprovimit të ligjit nga ana e Kuvendit. Trepça dhe minatorët nuk janë vetëm për Mitrovicën, sepse mbarë Kosova është duke pritur që Trepça të shndërrohet në atë që ka qenë, akselerator i zhvillimit ekonomik dhe hapjes të vendeve të reja të punës”, tha Ismajli.
Ndërkaq, drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, siguroi se ky gjigant ekonomik së shpejto do të bëhet pjesë e zhvillimit të fuqishëm të vendit.

