TIK sektor strategjik për zhvillim të qëndrueshëm

Prishtinë, 15.12.2015 – Qeveria e Kosovës, duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të sektorit të Teknologjisë Informative dhe Komunikimit (TIK), këtë sektor e konsideron si një ndër prioritetet më të rëndësishme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe transformim struktural kah një shoqëri dhe ekonomi e bazuar në dije, ka deklaruar Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi.

Këto komente zv.ministrja Zogaj Gashi i bëri me rastin e lansimit të projektit ‘STIKK Education’, ku të pranishëm ishin edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies, Arban Abrashi,  Ambasadori i SHBA-së Greg Delawie, Ambasadori  i Norvegjisë Jan Braathu, zëvendës ambasadorja e Gjermanisë Christina Gehlsen dhe Drejtoresha Ekzekutive e STIKK – Vjollca Cavolli.

Ajo tha se si rrjedhojë e kësaj, MZHE dhe Qeveria e Kosovës janë në proces të aprovimit të “Strategjisë Nacionale për Teknologji Informative”, e cila strategji është hartuar në bashkëpunim të ngushtë me STIKK, Universitetet, si dhe me mbështetjen e çmuar nga GIZ-i dhe Ambasada Norvegjeze.

Zv.ministrja potencoi se Qeveria e Kosovës është duke trajtuar me seriozitetin më të madh mënyrat për të forcuar kapitalin e saj njerëzor për të marrë pjesë plotësisht e për të maksimizuar përfitimet e ekonomisë dixhitale në një treg global.

MZHE në bashkëpunim me Bankën Botërore janë duke e zhvilluar programin për Ekonominë Dixhitale të Kosovës- KODE (eng. Kosovo Digital Economy development). Ndërsa, është në proces të implementimit të pilot projektit “Women in Online Work” i cili ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së grave, të zonave rurale, në punët online të mundësuara nga teknologjia informative dhe komunikuese.

Në këtë kuadër, Ambasadori Norvegjez Braathu dhe Ambasadori Amerikan Delawie përshëndetën nismën dhe punën qe është duke e bere MZHE ne bashkëpunim me MPMS për zhvillimin e sektorit te TIK.

STIKK Education përkrahet nga GIZ, Ambasada Norvegjeze dhe USAID. Projekti përfshin të gjitha trajnimet e organizuara deri me tani prej STIKK, duke sjellë programe dhe iniciativa të reja. Vizioni i kësaj iniciative është të ngrit kapacitetet lokale në sektorin e TIK.