Thirrje publike për shprehje të interesit për të qenë pjesë e komisioneve vlerësuese për vlerësimin e projekt-propozimeve të OJQ-ve
Prishtinë: 16 Qershor 2022
Ministria e Ekonomisë, gjatë vitit 2022 planifikon që përmes thirrjeve publike të ofrojë mbështetje financiare për implementimin e projekteve të Organizatave Jo-Qeveritare në fushat që ndërlidhen me:
1. Aktivitete promovuese në fushën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit;
2. Aktivitete promovuese në fushën e Energjisë;
3. Aktivitete promovuese në sektorin Minerar
Rregullorja MF- Nr. 04/2017 mbi Kriteret, Standardet dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, Neni 8, paragrafi 3.2 parasheh që pjesë e çdo komisioni vlerësues për vlerësimin e projekt-propozimeve të OJQ-ve të pranuara sipas thirrjeve publike, duhet të jenë dy përfaqësues nga grupi i ekspertëve të jashtëm, njëri nga të cilët duhet të jetë përfaqësues i OJQ-ve.
Ministria e Ekonomisë fton të gjithë kandidatët e interesuar që të aplikojnë për të qenë pjesë e regjistrit të ekspertëve të jashtëm, të cilët sipas nevojës së ME-së, do të caktohen në cilësinë e anëtarëve të komisionit vlerësues për projekt propozimet e dorëzuara nga OJQ-të për financim përmes fondeve publike.
Të drejtë aplikimi kanë:
• Të punësuarit në organizatat jo-qeveritare aktive në Republikën e Kosovës;
• Ekspertë të pavarur, të cilët kanë përvojë pune që ndërlidhet me administratën publike, hartimin dhe menaxhimin e projekteve apo fusha të ngjashme.
Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:
• Duhet të kenë të kryer së paku nivelin e studimeve Bachelor në fushën e Ekonomisë, Menaxhimit të Projekteve, Administratës Publike, Menaxhim Biznesi apo fusha tjera të ngjashme;
• Të kenë të paktën 5 vite përvojë pune;
• Të kenë përvojë në projektet e OJQ-ve;
• Të mos jenë të emëruar politikë, shërbyes civil apo pozita të ngjashme në administratën shtetërore.
Kandidatët duhet të dorëzojnë këto dokumente:
• Një letër motivimi
• Një CV të përditësuar;
• Dëshmi për shkollimin dhe përvojën e punës;
• Të punësuarit në OJQ duhet të dorëzojnë një letër nominimi nga Udhëheqësi i OJQ-së në të cilën aplikuesi është i punësuar.
Aplikimi mund të bëhet përmes e-mailit duke dërguar dokumentacionin e kërkuar te atdhetare.mushica@rks-gov.net, apo edhe përmes dorëzimit të kopjes fizike të dokumentacionit të kërkuar, në Ministrinë e Ekonomisë, sheshi “Nëna Terezë”, nr. 36, Prishtinë, Arkivi i ME-së. Afati për aplikim mbetet i hapur deri më 22 Qershor 2022.
Ministria e Ekonomisë pas vlerësimit të aplikacioneve, do të formojë regjistrin e ekspertëve të jashtëm, të cilët do të ftohen sipas nevojës së komisionit vlerësues të ME-së për projektet/programet e OJQ-ve.