Themelohet dega kosovare e rrjetit ndërkombëtar ABSL Kosovo
Prishtinë, 16.12.2024 – Në fund të javës së kaluar, ngjarja Global Digital City Kosovo solli së bashku liderë të industrisë, profesionistë të sektorit TIK, dhe sipërmarrës nga Kosova dhe rajoni për të diskutuar mbi potencialin transformues të teknologjisë në zhvillimin ekonomik dhe social.
Ministria e Ekonomisë, konkretisht Zëvendësministri, Getoar Mjeku pati nderin të jetë pjesë e kësaj platforme të rëndësishme, duke theksuar përkushtimin për zhvillimin e një Kosove digjitale dhe inovative.
Në fjalën e tij Mjeku theksoi se Ministria e Ekonomisë po investon në infrastrukturë, po trajnon mijëra të rinj për shkathtësi digjitale dhe po ndërton ngrehina të rëndësishme për sektorin – siç janë qendra e të dhënave KREN, parku teknologjik në Prishtinë dhe tani Qendra e Ekselencës Digjitale.
Ai tha se janë të vendosur që ta përkrahin sektorin e TIK-ut, dhe se përqafojnë nismat që nxitin përparimin teknologjik, që përmirësojnë edukimin digjital dhe krijojnë një mjedis të përshtatshëm për inovacion dhe rritje.
Pikat kryesore të ngjarjes ndër të tjera ishin;
✨ Themelimi i degës kosovare të rrjetit ndërkombëtar ABSL Kosovo: Si pjesë e një rrjeti më të gjerë në rajon, ABSL Kosovo do të luajë një rol të rëndësishëm në promovimin e sektorit të BPO (Business Process Outsourcing) dhe tërheqjen e investimeve ndërkombëtare.
Fjalime inspiruese nga liderë të industrisë: Përfaqësues nga sektori privat ndanë vizionet e tyre për të ardhmen e inovacionit dhe teknologjisë në Kosovë, duke theksuar mundësitë për bashkëpunim ndërsektorial.
Gjetjet e raportit sektorial: Një prezantim gjithëpërfshirës mbi potencialin e sektorit TIK në Kosovë, duke analizuar trendet rajonale dhe globale, dhe duke identifikuar hapësira për përmirësim dhe zhvillim.
Konkursi për startup-et: Inovatorë të rinj prezantuan idetë e tyre përpara një audience të përzgjedhur, duke garuar për mbështetje dhe investime për realizimin e projekteve të tyre të ardhshme.
Me penetrim broadband prej 99.8%, me një ekosistem të zhvilluar TIK dhe një rini të përgatitur për sfidat e së ardhmes, Kosova po shndërrohet në një qendër digjitale me ndikim rajonal dhe global.
Ministria e Ekonomisë do të vazhdojë të mbështesë iniciativa si këto për të forcuar inovacionin, zhvillimin e aftësive digjitale dhe për të nxitur një ekonomi konkurruese e të qëndrueshme.
Ngjarja zgjati dy ditë ku të shtunën u zhvilluan trajnime për të rinj nga Kosova dhe veriu i Shqiperise në fushën e Inteligjencës Artificiale, Marektingut Dixhital dhe analizës së të dhënash.