Stavileci: Teknologjia informative shtyllë e rëndësishme e zhvillimit ekonomik

Prishtinë, 05.05.2015 – Teknologjia e Informacionit dhe Inovacionit janë bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të një shteti, ngase të gjithë sektorët tjerë si energjia, minierat etj, ndërlidhen me këtë sektor, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente kreu i MZHE-së, i bëri gjatë vizitës në kompaninë IPKO, ku me drejtues të saj diskutoi prioritetet e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe sektorit të telekomunikacionit në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin e teknologjisë informative, si dhe u prezantuan sfidat kryesore me të cilat përballet IPKO në tregun kosovar.

Ministri Stavileci tha se drejtimi strategjik të cilin po e ndjek MZHE ka për qëllim kryesor rritjen ekonomike e cila do ta ndryshojë ritmin e ekonomisë kosovare, duke kontribuar në zhdukjen e varfërisë, papunësisë dhe krijimin e mundësive të reja që gjenerojnë punësim, por edhe zhvillim të sektorëve të rinj në ekonomi që ndikojnë në punësim, por edhe nxisin konkurrueshmëri me tregjet rajonale.

Ai tha se edhe pse MZHE si prioritete ka sektorët e energjisë, minierave, një vend të posaçëm zë edhe teknologjia informative, ngase me të ndërlidhen edhe projektet dhe fushat që mbulon kjo ministri, andaj shtoi se TI do të ketë prioritet.

Nga ana e tij, drejtori i kompanisë IPKO, Robert Erzin u tha se kjo kompani ka rol të rëndësishëm në ekonominë e Kosovës, sepse përveç 270 milionë eurove të investuara në Kosovë dhe qindra vendeve të punës që ajo ka krijuar, kompania të gjitha fitimet e saj i ka rikthyer në vend, për krijimin e infrastrukturës moderne e cila mundëson edhe zhvillimin e sektorit privat.

Erzin ka prezantuar edhe shkallën e lartë të depërtimit dhe përdorimit të internetit në Kosovë, si dhe infrastrukturën e rrjetit mobil IPKO, duke thënë se brenda javëve në vazhdim IPKO do të jetë në gjitha qendrat e Kosovës me rrjetin 4G, krahas zgjerimit të mëtutjeshëm të infrastrukturës së përgjithshme.

Në takim u tha se ndër sfidat kryesore me të cilat përballet IPKO në tregun kosovar janë mungesa e resurseve frekuencore në telefoninë mobile, ku u kërkua trajtim i barabartë për të gjithë operatorët mobil në Kosovë.