Stavileci: Qeveria mbështet projektet zhvillimore të komunave

Prishtinë, 13.03.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci ka deklaruar se Qeveria e Kosovës do të mbështes çdo projekt zhvillimor të komunave, që kanë për qëllim zhvillimin ekonomik, inovacionin dhe rritjen e punësimit, duke shtuar se agjendë e përbashkët e dy niveleve institucionale është agjenda zhvillimore.

Këto komente ministri Stavileci i bëri gjatë vizitës në Komunën e Gjakovës, ku u takua me kryetaren e Komunës, Mimoza Kusari-Lila, ndërsa vizitoi edhe Ngrohtoren e Qytetit dhe Qendrën për Krijimtari ‘Bonevet’ në këtë komunë.

“Projektet zhvillimore të Gjakovës në një mënyrë lidhen drejtpërdrejt me programin e Qeverisë, që është prezantuar së para pak ditësh. Ne kemi identifikuar shumë projekte me të cilat sektori privat mund të bëjë kthesën e zhvillimit dhe hapjen e vendeve të reja të punës që është synim edhe i Qeverisë qendrore, por edhe asaj në nivel lokal”, tha ai.

Stavileci tha se projektet e Qeverisë do të kenë parasysh kriterin e punësimit dhe në këtë drejtim edhe për sektorët që mbulon MZHE, si energjia e ripërtëritshme, efiçienca e energjisë, teknologjia informative dhe komunikimet elektronike do të krijohen fonde për sektorin privat, që do të lidhen me kriteret e punësimit, edukimit dhe inovacionit.

Kreu i MZHE-së, tha se Qeveria dhe komunat do të fokusohen në orientimin e të rinjve në ato fusha ku ka interes, ku mund të krijohen ndërmarrje të reja dhe në ndërmarrjet ekzistuese që mund të zgjerohen dhe të krijohen vende të reja pune, ndërsa paralajmëroi angazhimin e tij në përmirësimin e politikave fiskale për t’i krijuar lehtësira investitorëve.

Nga ana e saj, kryetarja e Komunës të Gjakovës, Mimoza Kusari tha se me Ministrin Stavileci ka biseduar për bashkërendimin e punëve që janë parakusht për zhvillimin ekonomik të komunës, duke përmendur këtu, parkun industrial, krijimin e zonës së lirë ekonomike, Aeroportin e Gjakovës, Kompaninë Rajonale të Ujit ‘Radoniqi’ dhe Ngrohtoren e Qytetit.

Kusari tha se ka marrë mbështetje nga Ministri Stavileci për projektet e Komunës së Gjakovës, e veçanërisht ato që i hapin rrugë investimeve dhe zhvillimit të sektorit privat.

Më pas ministri Stavileci i shoqëruar nga kryetarja Kusari-Lila vizitoi Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës, ku nga drejtuesit e saj u njoftua për gjendjen aktuale dhe planet e ardhshme. Ndërkaq, në Qendrën për Krijimtari ‘Bonevet’, ministri u informua me aktivitetin e saj, ndërsa takoi fëmijët që ndjekin kurset në këtë qendër.