Stavileci prezanton Kosovën në Konferencën e ICTA-së në Stamboll

Prishtinë, 07.05.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, po merr pjesë në Konferencën e 10-të  Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Komunikimit Elektronik, që po mbahet në Stamboll të Turqisë, nën organizimin e ICTA – Information and Communication Technologies Authority.

Ministri Stavileci, me këtë rast ka prezantuar kornizën institucionale dhe ligjore të Republikës së Kosovës, mundësitë që ofron vendi ynë për zhvillimin e këtij sektori si dhe hapat që kanë ndërmarrë institucionet përkatëse për stimulimin e tij.

Ai gjithashtu paraqiti fakte konkrete për nivelin e lartë të shfrytëzimit të teknologjisë së informacionit në Kosovës, që përbën një parakusht të domosdoshëm për zhvillimin e biznesit të kësaj fushe në funksion të një zhvillimi të qëndrueshëm.

Kreu i MZHE-së, ka vlerësuar se konferenca në fjalë mbahet në një moment të rëndësishëm kur Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë veprime konkrete në promovimin e zhvillimit të teknologjisë së informacionit dhe infrastrukturës së saj, duke e vënë këtë sektor në një prioritet të lartë.

Në këtë kuadër, Ministri Stavileci ka zhvilluar takime me homologë dhe pjesëmarrës tjerë në konferencë me të cilët ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit.

Ndryshe Konferenca e 10-të Ndërkombëtare të Rregullatorëve të Komunikimit Elektronik, mbledh bashkë Ministra të fushës, Rregullatorët Kombëtar të Komunikimeve Elektronike dhe përfaqësues të industrisë së TIK-ut, ku ata mund të diskutojnë për informacionet dhe këmbejnë përvojat në këtë fushë.