Stavileci në Takimin Ministror të TKE-së në Tiranë

Prishtinë, 16.10.2015 – Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci mori pjesë në Takimin e 13 të Këshillit Ministror të Traktatit të Komunitetit të Energjisë, që u mbajt në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, ku në fokus ishin zhvillimet aktuale në sektorin e energjisë dhe bashkëpunimi rajonal.

Në takim përveç ministrave të vendeve anëtare të TKE-së, i pranishëm ishte edhe Komisioneri i BE-së për Klimën dhe Energjinë, Miguel Arias Canete. Në hapje të punimeve të pranishmëve u është drejtuar edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama, vendi i të cilit ka mbajtur Presidencën e TKE-së për këtë vit.

Ndërsa, Ministri Blerand Stavileci ka prezantuar të arriturat e fundit të Kosovës në sektorin e energjisë, të cilat kanë impakt rajonal në tregun e energjisë. Ai gjithashtu ka nënvizuar masat që ka marrë vendi në impelemtimin e obligimeve që dalin nga TKE, me theks të veçantë në zhvillimin e BRE-ve dhe EE-së.

Ndër temat qendrore të takimit ishin; Implementimi i Direktivës për  Efiçiencë të Energjisë,  Infrastrukturën e Energjisë, Sigurinë e furnizimit me energji, iniciativat për integrimin e tregut rajonal të energjisë etj.

Ndryshe, Këshilli Ministror i TKE-së, në bazë të rezultatit të Samitit të Ballkanit Perëndimor në Vjenë në gusht 2015, inkurajon Sekretariatin që të vazhdojë përpjekjet e tij në zhvillimin e tregut rajonal të energjisë edhe në të ardhmen.

Me këtë rast, vendet e Ballkanit Perëndimor u ftuan të zbatojnë masat konkrete që synojnë krijimin e këmbimeve të energjisë, një treg rajonal balancues dhe alokimin e koordinuar të kapaciteteve, siç është rënë dakord në Vjenë.

Gjithashtu, Këshilli i Ministrave sugjeroi se procesi në të ardhmen duhet të fokusohet edhe në çështjet klimatike dhe masat për efiçiencë të energjisë, duke mundësuar një kornizë për investimet në EE dhe BRE të përcaktuara si grup i masave rajonale dhe kombëtare në Ballkanin Perëndimor.