Stavileci: Interkoneksioni 400kV Kosovë-Shqipëri, projekt me rëndësi rajonale

Prishtinë, 17.12.2015 – Interkoneksioni 400kV Kosovë-Shqipëri është një ndër projektet më të rëndësishme energjetike, i cili do të përmirësojë sistemin energjetik, do të krijoj një lidhje të veçantë në mes të dy vendeve, rajonit dhe Bashkimit Evropian, kanë vlerësuar përfaqësues institucioneve të Kosovës, Shqipërisë, Ambasadës të Gjermanisë, KfW-së, KOSTT dhe OST.

Këto komente u bënë gjatë ceremonisë së inaugurimit të projektit “Rregullimi Sekondar Frekuencë-Fuqi Kosovë-Shqipëri’’ dhe përfundimit të punimeve në Linjën Interkonektive 400 kV deri në kufirin me Shqipërinë, që u mbajt sot në NT 400/220 kV Kosova B, në Kastriot.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa tha se linja e Interkoneksionit 400 kV Kosovë-Shqipëri, është një mundësi me shumë përparësi për të dy vendet tona, duke u bazuar në diversitetin e resurseve energjetike, që janë kompatibile, për tu arritur në një nivel më i lartë i rendimentit të prodhimit të energjisë elektrike dhe të këmbimi të energjisë elektrike.

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria tanimë kanë marrë obligimet por edhe po krijojnë kushtet për fuqizimin dhe furnizimin e sistemit me energji elektrike, dhe kjo krijon kushte për standard më të lart dhe arritjen e standardeve të vendeve të zhvilluara.

Ndërsa, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, vlerësoi se realizimi i këtij projekti përbën një kapitull të ri në sektorin energjetik të vendit tonë, një kapitull që do ta transformojmë për ta bërë gati për zhvillimet e ardhshme.

“Të gjithë këto, në veçanti partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në realizimin e këtij projekti e dinë që edhe proceset e integrimit në të cilat marrim pjesë ne së bashku me Republikën e Shqipërisë kanë për qëllim që të gjithë ne të jemi pjesë e përbashkët e një tregu rajonal, duke i plotësuar tri kushte themelore”, tha Stavileci.

Sipas tij, këto tri kushte janë, siguria e furnizimit me energji elektrike, ndërlidhja e rrjeteve tona dhe të bëhemi pjesë e tregut rajonal, me kushte të reja të operimit dhe duke liberalizuar tregun edhe ne edhe Shqipëria po bëjmë hapa progresivë me të cilët do të japim shembuj vendeve të rajonit që ne jemi duke avancuar edhe në agjendën e TKE-së.

Kreu i MZHE-së tha se edhe ky projekt i kësaj linje të transmisionit është njëri në mesin e 35 projekteve të rëndësishme që i kanë gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, dhe shprehu besimin se me projektet që do bëhen së bashku po i afrohen BE-së, respektivisht po përmbushet agjenda e evropiane në sektorin e energjisë.

Ilir Bejtja, zv.Ministër i Energjetikës dhe Industrisë të Shqipërisë, tha kjo ngjarje e rëndësishme për të dy sisteme energjetike ndodh në kohën kur Kosova ndahet si zonë në vete energjetike. “Natyrisht, anëtarësimi i dy operatorëve në ENTSO-E, do të rris pavarësinë e këtyre sistemeve dhe i bën ato partner në vendimmarrje në projekte strategjike rajonale”, tha ai.

Përfaqësuesja e Qeverisë gjermane, Henriette Kotter, theksoi se sektori i energjisë është një prej shtyllave kryesore të zhvillimit në Kosovë dhe se kjo është arsyeja pse një linjë si kjo është shumë me rëndësi.

Esther Gravenkoetter, drejtoreshë e Bankës Gjermane për Zhvillim, KfË, Prishtinë ka vlerësuar lart kontributin e KOSTT në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm për vendin.

Bashkëpunimin e mirë mes të dy vendeve në fushën e transmisionit e vlerësuan edhe drejtuesit e dy operatorëve, Mustafë Hasani kryeshef i KOSTT dhe  Engjëll Zeqo Administrator i OST.