Shqyrtohen praktikat më të mira për One Stop Shop për BRE

Prishtinë, 06.11.2015 – Më 4 dhe 5 nëntor në Prishtinë u mbajt punëtoria mbi themelimin e One-Stop Shop-it për përkrahjen e zhvillimit të projekteve të Burimeve të Ripërtërishme në Kosovë.

Punëtoria, që u organizua me ndihmën e projektit REPOWER-KOSOVO të financuar nga USAID, kishte për qëllim që të përmbledhë sfidat kryesore me të cilat ballafaqohen zhvilluesit e projekteve të BRE-ve në Kosovë si dhe të shqyrtojë praktikat më të mira ndërkombëtare për eliminimin e barrierave për zhvillimin e projekteve të BRE-së përmes themelimit të One-Stop Shop-it.

Grupi punues i përbërë nga akterët kryesorë të sektorit të energjisë, duke përfshirë këtu – përveç MZHE-së dhe ZRRE-së, edhe institucionet tjera përgjegjëse për sektorin e energjisë si MMMPH, MTI, MBPZHR, KOSTT, KEDS e KESCO, diskutuan gjerësisht për hapat që një investitor duhet të tejkalojë për zhvillimin e projekteve të BRE-ve. Pjesëmarrësit kryesisht ishin të pajtimit se, pavarësisht punës së suksesshme të secilit institucion individualisht, sektori mund të përfitojë nga një koordinim më i mirë në mes të akterëve të involvuar.

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj-Gashi, potencoi se përkrahja e zhvillimit ekonomik përmes promovimit të energjisë së pastër është njëra nga qëllimet kryesore të Qeverisë dhe se do të vazhdojë përkrahjen e Grupit Punues për të përmirësuar koordinimin e institucioneve relevant dhe për të përshpejtuar zhvillimin e projekteve të BRE në mënyrë që të sigurohemi që Kosova të përmbushë objektivat e pjesëmarrjes së BRE-ve në konsumin bruto final, të përcaktuara nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.

Grupi punues do të vazhdojë punën në javën që vjen për të identifikuar modelin më të përshtatshëm për themelimin e One-Stop Shop-it, bazuar në praktikat më të mirë ndërkombëtare.