Shpallet kërkesa për ofertim për KEDS

Prishtinë, 30 nëntor 2011 –  Komiteti për Privatizimin e KEDS-it, në mbledhjen e mbajtur sot, në prani të monitorëve lokalë dhe ndërkombëtarë, ka aprovuar pakon tenderuese duke shpallë Kërkesën për Ofertim, për investitorët e parakualifikuar (Elsewedy, Limak, Taib Bank dhe Calik) në procesin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK (KEDS).

Pakoja tenderuese përmban pesë dokumente të cilat tashmë do të jenë në dispozicion për investitorët e parakualifikuar. Këto dokumente janë; Rregullat për Ofertim; Marrëveshja për Shitblerje të Aksioneve; Marrëveshja për Furnizim me Shumicë me Energji Elektrike; Marrëveshja për Importe dhe Marrëveshja për Implementim.

Përpos dokumenteve të lartpërmendura Komiteti për Privatizim (KP), i Kryesuar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, ka marrë vendim lidhur me çështjen e punëtorëve të sektorit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK. Vendimi parasheh që të gjithë punëtorët e sektorit të transferohen me kontratat e tyre ekzistuese te kompania e ardhshme private. Kjo do të thotë se nuk do ketë reduktime të punëtorëve. Ndërsa, kontratat e punëtorëve do të garantohen me ligjet e vendit në fuqi, përkatësisht, nga Ligji i Punës.

Komiteti për Privatizim ka vendosur që KEDS të privatizohet pa borxhe, ndërsa borxhet e vjetra ndaj KEK-ut nuk do të falen, por duhet të paguhen sipas modaliteteve që do të përcaktohen nga këto dy kompani.

Më 30 nëntor, Komiteti për Privatizim ka bërë Shpalljen për Ofertim. Investitorëve tashmë ju mbetet të përgatisin ofertat e tyre për blerjen e Distribucionit dhe Furnizimit të KEK (KEDS). Afati i fundit për kompanitë e parakualifikuara për t’i dorëzuar ofertat e tyre do të jetë 28 shkurti i vitit 2012.

Duhet theksuar se, të gjitha dokumentet e aprovuara nga KP, kanë kaluar një kohë të gjatë të konsultimeve në shtatë takime të grupit teknik të ekspertëve nga të cilat shumica e vërejtjeve dhe komenteve janë pranuar, si ekspertët nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, KOSTT, KEK dhe ekspertët e tjerë vendorë e ndërkombëtare të angazhuar në procesin e privatizimit të KEDS.