Shpallet afati për dorëzimin e ofertave për TC ‘Kosova e Re”

Prishtinë, 27.11. 2014- Ministria e Zhvillimit Ekonomik, në emër të Komitetit Drejtues të Projektit, ka shpallur afatin për dorëzimin e ofertave për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”. MZHE, në emër të KDP-së, i ka njoftuar investitorët e parakualifikuar se afati për dorëzimin e ofertave për realizimin e këtij projekti është 19 Dhjetor 2014.

Shpallja e përzgjedhjes së investitorit të preferuar do të bëhet në Janar 2015.

Projekti për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë elektrike është bazuar në Strategjinë e Energjisë së Kosovës, e cila përcakton që kapacitetet e reja të realizohen nëpërmjet investimeve të huaja direkte.

Kapaciteti i termocentralit “Kosova e Re” do të jetë 2×300 MW neto energji elektrike. TC “Kosova e re” do të ndërtohet duke i plotësuar të gjitha standardet dhe direktivat evropiane, me instalimin e teknologjive më të mira në dispozicion si PC ose CFB, që sigurojnë se ndotja e ambientit do të jetë minimale, si dhe me efiçiencë së paku prej 37%.

Ndërtimi i TC “Kosova e re” siguron:
1.    Zëvendësimin e prodhimit të energjisë elektrike të TC “Kosova A”;
2.    Mbulon konsumin vendor të energjisë elektrike;
3.    Bën përmirësime mjedisore në sektorin e energjisë; dhe
4.    Ofron siguri të furnizimit me energji elektrike.
MZHE do ta informojë me kohë publikun për zhvillimet e tjera që do të ndodhin gjatë kësaj periudhe.