Shënohet 36-vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës
Mitrovicë, 20.02.2025 – Me një ceremoni solemne, në Stantërg është shënuar 36-vjetori i grevës së minatorëve të Trepçës, ku të pranishëm ishin Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci dhe minatorë.
Duke kujtuar grevën e vitit 1989, Kryeministri Kurti ka theksuar se Trepça ka qenë edhe subjekt shoqëror në historinë e Kosovës, me efekte rajonale e jehonë ndërkombëtare.
“Kërkesat e minatorëve ishin të shtruara në 10 pika, ku pika 8 thoshte: fati i shqiptarëve të shqyrtohet në Kombet e Bashkuara. Pra qysh në atë grevë kërkohej ndërkombëtarizimi i çështjes”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri Kurti vlerësoi se e ardhmja e Trepçës është në duart e atyre që e ndërtojnë përditë.
Ndërsa, Ministrja Rizvanolli tha se “Java e Minatorit” shënon grevën e madhe të xehetarëve tanë këtu e 36 vjet më parë, të cilët kundërshtuan përpjekjet për të robëruar Kosovën dhe për të tjetërsuar tokën e saj.
“Minatorët tanë i dolën në mbrojtje të drejtës së Kosovës për vetëqeverisje. Me qëndresën e tyre ndaj Serbisë pushtuese, shpërfaqën themelet e lirisë e demokracisë, ato mbështeten mbi dashurinë ndaj atdheut, mbi punën e ndershme dhe mbi kujdesin e vazhdueshëm ndaj pasurisë së popullit”, tha Rizvanolli.
Ajo po ashtu vlerësoi se greva e minatorëve nuk ishte thjesht ngjarje e historisë së Kosovës, por një rrëfim për historinë dhe të ardhmen e mbarë Evropës.
Ministrja Rizvanolli shtoi se i presin punë të mëdha tutje, pasi viti 2025 për Trepçën do të jetë vit i reformave, që ta bëjmë Trepçën ndërmarrje të qëndrueshme.
Greva e minatorëve të Trepçës është mbajtur në vitin 1989, ku nga data 20 deri më 28 shkurt rreth 1300 minatorë, përmes grevës së urisë kundërshtuan masat represive të regjimit pushtues të Millosheviqit, e cila grevë pastaj u shndërrua në rezistencë gjithë-popullore.