Sektori privat po fillon ta marrë rolin që i takon

Prishtinë, 02.11.2013 – Është një kënaqësi e veçantë që të përurojmë ndërmarrje të reja në sektorin e prodhimit, sepse ndërmarrjet si  HEMO AGROKOS janë tregues i suksesit. Dhe në te njëjtën kohë, dëshmojnë forcimin e ekonomisë se vendit dhe tregojnë bindshëm se sektori privat po fillon ta merr rolin dhe vendin qe i takon në ekonominë kosovare, ka deklaruar ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente, ministri Ismajli i bëri në cëremoninë e inaugurimit të fabrikës së re të Plehrave Artificiale “HEMO AGROKOS” në Vushtrri, ku përvec përfaqësuesve të kësaj kompanie, morën pjesë edhe drejtues të Ministrisë së Financave, Aleancës Kosovare të Bizneseve dhe zyrtarë lokalë.

“Siç dihet, ndërmarrjet si HEMO AGROKOS luajnë një rrol të shumëfishtë, përveç se prodhojnë prodhime vendore, ato po ashtu ndikojnë në rritjen e  punësimit dhe përmirësojnë standardin jetësor të të punësuarve dhe familjeve të tyre. Mirëpo, në të njëjtën kohe bëhet edhe zëvendësimi i produkteve të importuara, që automatikisht ndikojnë në përmirësimin e bilancit tregtar të vendit, gjë e cila në një të ardhme të afërt do të nxisë dhe rrisë eksportin”, tha Ismajli.

Kreu i MZHE-së tha se nuk ka asnjë dyshim se sektori i bujqësisë është një ndër shtyllat kryesore të ekonomisë kosovare. Mbështetja e këtij sektori do të  ndikojë pozitivisht në bilancin e gjithmbarshëm ekonomik të shtetit tonë.

“Andaj, qeveria jonë objektiv primar ka ruajtjen dhe fuqizimin e këtij segmenti të rëndësishëm ekonomik duke e mundësuar dhe lehtësuar përfshirjen sa më të madhe të ndërmarrësve në zhvillimin e shoqëror dhe ekonomik të vendit”, tha Ismajli.

Ministri Ismajli nënvizoi se ndërmarresia dhe risitë janë dy koncepte dominuese të kohës sonë dhe se mendon se ka ardhur koha që politik-bërësit dhe shoqëria e biznesit të fokusohen në krijimin e kushteve të përshtatshme për ndërmarrësi, dhe në krijimin e një klime të favorshme dhe të qëndrueshme – duke identifikuar, mbështetur dhe inspiruar ndermarrësit dhe inovatorët në të gjitha shkallët e ekonomisë.

Ndryshe, fabrika “Hemo AgroKos” është në fazën fillestare të startimit testues për prodhimin e plehrave artificial do të prodhojë 8 MT/h  kurse kapaciteti instalues është 50 000 MT  në vit me formula te ndryshme për tregun e Kosovës dhe më gjerë.