Sektori i ujërave prioritet i Qeverisë së Kosovës

Prishtinë, 02.10.2014 – Seminari dyditorë “Uji dhe mjedisi” ka mbledhur bashkë zyrtarë të Qeverisë së Kosovës dhe Francës dhe akterë tjerë të këtij sektori me qëllim të diskutimit dhe identifikimit të mënyrave për organizimin sa më të mirë të këtij sektori, shfrytëzimin racional të ujit dhe mbrojtjen e mjedisit.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Bujar Bukoshi i cili është edhe Kryesues i Këshillit Ndërministror për Ujërat tha se është takimi i parë në nivel qeveritar mes Kosovës dhe Francës me qëllim të shkëmbimit të përvojave në zhvillimin e këtij sektori duke theksuar se kjo do t’i japë shtytje avancimit bashkëpunimit ndërsektorial për këtë qëllim.

Ne, si rajon, jemi fatlum që jemi pjesë e 85% të botës ku uji i pijshëm sigurohet përmes tubacionit shpërndarës,  ka deklaruar  ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli në hapje të seminarit të organizuar nga Ambasada Franceze në Prishtinë në  bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës.

Ministri Ismajli ka theksuar se këmbimi i përvojave në sektorin e ujërave në mes Kosovës dhe Francës është i një rëndësie të veçantë, ku mundëson edhe elaborimin e përbashkët rreth gjendjes aktuale të sektorit të ujërave në Kosovë, përfshirë standardet e përcaktuara evropiane mbi cilësinë e ujit, mbi menaxhimin e burimeve ujore dhe menaxhimin e pellgjeve të lumenjve në Kosovë.

Po ashtu ministri Ismajli ka përkujtuar se Qeveria e Kosovës  në programin e vet të punës një rëndësi të konsiderueshme i kushton zhvillimit të resurseve të ujit. “ Rëndësi të veçantë i kushton ujit te pijshëm, trajtimit të ujerave të zeza dhe zhvillimit të sistemit të kanalizimit” ka thënë ai.

Nga ana tjetër, ambasadorja e Francës në Prishtinë, Maryse Daviet, tha se bashkëpunimi ne mes dy vendeve në fushën e ujit është përforcuar në vitet e fundit në kuadër të projektit të binjakëzimit të Bashkimit Evropian, duke shtuar se uji vazhdon të mbetet një nga prioritetet e dy vendeve sepse ka të bëjë edhe me zhvillimin ekonomik të Kosovës.

Ndërsa, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Dardan Gashi tha se   shkëmbimet do të mundësojnë identifikimin e akseve të mundshme të bashkëpunimit në mes të Francës dhe Kosovës në këtë fushë.

“Qëllimi i kësaj konference është që të forcohet bashkëpunimi në mes të Qeverisë franceze dhe Kosovës, në përmirësimin e situatës në Kosovë, sa i përket ujit, qoftë në aspektin e ujit të pijshëm qoftë në shfrytëzimin e ujit si aset i zhvillimit të vendit” ka thënë ministri Gashi, duke shtuar se  në Kosovë sa i përket ujit të pijshëm, e po ashtu ujërave të zeza, nuk është e lakmueshme.

Ndërsa Dardan Sejdiu, nënkryetar i Prishtinës, tha se seminari i organizuar nga ambasada franceze së bashku me Qeverinë e Kosovës, është në funksion të gjetjes së mënyrave, që trajtimi i ujërave të zeza dhe furnizimi me ujë të pijshëm, të bëhen pjesë integrale e mendimit strategjik për zhvillimin e këtij vendi.