Sekretarja e Përgjithshme, Leonita Shabani Mullarama flet në Konferencën e 8-të të Biomasës së Evropës Qendrore në Graz të Austrisë

Graz, 21.01.2026 – Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Leonita Shabani Mullarama po merr pjesë në Konferencën e 8-të të Biomasës së Evropës Qendrore (CEBC2026), e cila po mbahet nga 21 deri më 23 janar 2026 në Graz të Austrisë, një nga ngjarjet më të rëndësishme globale në fushën e bioenergjisë.

Delegacioni i Kosovës përfshin përfaqësues të Ministrisë e Ekonomisë, kryetarët e komunave të Deçanit, Kamenicës, Podujevës, Vitisë, përfaqësues të sektorit privat, të Ngrohtores së Qytetit të Gjakovë, projektit CNVP, si dhe partnerë ndërkombëtarë.

CEBC2026, është një ngjarje e rëndësishme e sektorit të bioenergjisë, e cila ka mbledhur mbi 1,400 pjesëmarrës nga më shumë se 50 vende të botës, përfshirë politikëbërës, studiues, udhëheqës të industrisë, partnerë zhvillimi dhe praktikues, të cilët po diskutojnë rolin e bioenergjisë në tranzicionin energjetik dhe arritjen e neutralitetit klimatik në Evropë.

Në kuadër të konferencës është organizuar një sesion i veçantë i dedikuar për biomasën e drurit në Kosovë, ku janë prezantuar përvojat nga vendi dhe mundësitë konkrete për investime në zgjidhje të qëndrueshme të bioenergjisë.

Në kuadër të këtij sesioni, Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë (ME), Leonita Shabani Mullarama në fjalën e mbajtur ka theksuar sfidat dhe prioritetet strategjike të sektorit të energjisë dhe ngrohjes në Kosovë. Ajo vuri në dukje varësinë e lartë të Kosovës nga burimet fosile dhe termocentralet e vjetruara me linjit, si dhe nevojën urgjente për zgjerimin e burimeve të rinovueshme dhe sistemeve të pastra të ngrohjes qendrore.

Znj. Shabani Mullarama theksoi se Strategjia e Energjisë 2022–2031 parasheh rritje të konsiderueshme të investimeve në energjinë e rinovueshme, efikasitetin e energjisë, fleksibilitetin e sistemit energjetik dhe zhvillimin e ngrohjes qendrore. Ajo përmendi Ngrohtoren e Qytetit të Gjakovës, e cila funksionon me biomasë dhe është mbështetur nga fondet e Bashkimit Evropian, si model i suksesshëm i tranzicionit drejt energjisë së pastër.

Në fjalën e saj, u theksua se biomasa në Kosovë ka potencial të madh, por mbetet ende e nën-shfrytëzuar. Në këtë drejtim, Ministria e Ekonomisë vlerëson kontributin e CNVP-ve dhe partnerëve në identifikimin e potencialit të biomasës dhe zhvillimin e studimeve të fizibilitetit për sisteme të ngrohjes qendrore në disa komuna të vendit.

Pjesëmarrja e Ministrisë së Ekonomisë në CEBC2026 konfirmon angazhimin e Kosovës për bashkëpunim rajonal dhe evropian, si dhe gatishmërinë për të ndërtuar partneritete të reja në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm energjetik dhe mbrojtjes së mjedisit.