Sekretarja e ME-së, Leonita Shabani Mullarama, mori pjesë në shënimin e 20-vjetorit të themelimit të Agjencisë për Barazi Gjinore

 

Prishtinë, 20.11.2025 – Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Ekonomisë (ME), Leonita Shabani Mullarama, mori pjesë në Konferencën rajonale “20-vjetori i Agjendës për Barazi Gjinore të Kosovës – 30 Vjet Pas Pekinit: Rruga Përpara”, organizuar nga Agjencia për Barazi Gjinore dhe Zyra e Kryeministrit.

 

Ajo përgëzoi Agjencinë dhe rrjetin e grave për kontributin e tyre shumëvjeçar në avancimin e barazisë gjinore.

 

Në ditën e dytë të konferencës, ajo ishte paneliste në diskutimin kushtuar progresit dhe sfidave në zbatimin e Deklaratës dhe Platformës së Veprimit të Pekinit. Si anëtare e Rrjetit të Grave në Pozita Vendimmarrëse, Sekretarja Shabani Mullarama foli për përfaqësimin e grave në pozita drejtuese, hapat e ndërmarrë në nivel të Ministrisë së Ekonomisë dhe vizionin e Rrjetit për fuqizimin profesional të grave dhe vajzave të reja.

 

Mullarama – Shabani theksoi se qasja e barabartë në pozita vendimmarrëse është thelbësore për të ndërtuar institucione gjithëpërfshirëse dhe për të garantuar pjesëmarrjen e grave në nivelet e larta të udhëheqjes.

 

Në konferencë morën pjesë Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, përfaqësues institucionalë, si dhe organizata vendore e ndërkombëtare që veprojnë në fushën e barazisë gjinore.