Së shpejti marrëveshje mes Kosovës dhe Shqipërisë për shërbime ndihmëse /rregullim sekondar

Prishtinë, 20.11.2015 – Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik Besa Zogaj – Gashi ka zhvilluar takim me zëvendësministrin e Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja dhe këshilltaren  e parë për energji, Entela Çipa me të cilët kanë diskutuar për ofrimin e shërbimeve ndihmëse  (rregulim sekondar)  me Shiqperinë.

Ky proces ka rëndësi të madhe për anëtarësimin e KOSTT në ENTSO- E,  duke shtuar se për këtë ekziston infrastruktura e cila është testuar nga operatorët KOSTT-OSTT-KESH.  Të dy zëvendësministrat Gashi dhe Bejtja janë dakorduar që për të funksionalizuar këtë projekt duhet nënshkruar një marrëveshje komerciale ndërmjet KOSTT dhe OST.

Gashi ka bërë të ditur se  MZHE ka adresuar kërkesë zyrtare Ministrisë së Industrisë për nënshkrimin e një memorandum i cili do t’i mundësonte operatorëve vendosjen e marrëdhënieve komerciale.

Temë e diskutimit në takim ishte se linja e interkoneksionit 400 kV, respektivisht pjesa e Kosovës pritet të përfundojë në fillim të muajit të ardhshëm. Infrastruktura për rregullim sekondar është e paraparë edhe në linjën e interkoneksionit.

Temë  diskutimi në takim ishte edhe bursa e energjisë elektrike kërkesë kjo e  Komunitetit të Energjisë, e cila gjithashtu është sanksionuar edhe në Samitin e Vjenës të Kryeministrave të  Ballkanit Perëndimor që shtetet pjesëmarrëse të themelojnë apo bashkohen në bursa  të energjisë.

“Kosova  ka interes të  bashkëngjitet në këtë bursë / proces. MZHE mbështet operatorët e Kosovës që të bashkëngjiten në këtë bursë dhe do të shqyrtoj kuadrin ligjor për të mundësuar një gjë të tillë.  KOSTT gjithashtu ka shprehur gatishmërinë që të jetë edhe bashkëthemelues / aksionar në këtë bursë” , është shprehur zv.ministrja Gashi gjatë takimit.

 Zv.ministrja Gashi   tha se Kosova është afër nënshkrimit të marrëveshjes për ndërtimin e TC “Kosova e Re” me kompaninë amerikane Countur Global me një kapacitet neto prej 450MW, dhe në kuptim të kësaj do të ishte e dobishme të shqyrtohen mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, dhe atë nëpërmjet themelimit të tregut të përbashkët të energjisë elektrike.

Ndryshe, të dy zëvendësministrat u dakorduan për thellimin e bashkëpunimit dhe të shikohet mundësia me procedura të shpejta në mënyrë që të formalizohet marrëveshja. Ky hap është konstatuar si hap dhe përmbushje e kërkesave nga Traktati i Komunitetit të Energjisë.