Rizvanolli viziton prodhuesin vendor Shpati-AM, përfitues të subvencionimit për Sisteme Diellore – që si rezultat kanë ulur faturën e energjisë nga 400 në 14 euro
Gjakovë, 13 qershor 2025 – Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me Shefin e Seksionit për Bashkëpunim të Bashkimit Evropian në Kosovë, Johannes Madsen Stenbeak, vizituan kompaninë prodhuese “Shpati-AM” në Gjakovë, përfituese e subvencionit për Sistemet Diellore Fotovoltaike.
E themeluar në vitin 2004, Shpati-AM prodhon tuba fleksibilë për sisteme hidrosanitare dhe ngrohje, ndërsa eksporton në tregje si Greqia, Turqia, Kroacia, Rumania dhe Skandinavia. Gjithashtu, tregton edhe pompa termike Viola për ngrohje me efiçiencë të lartë në tregun vendor. Falë investimit në panele solare dhe përdorimit të pajisjeve me efiçiencë të lartë, kompania ka ulur ndjeshëm faturën mujore të energjisë nga 300–400 euro në vetëm 14 euro në mars 2025.
30% e investimit të përgjithshëm për sistemin diellor është mbuluar nga subvencioni i Ministrisë së Ekonomisë, pjesë e skemës për mbështetje të Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme, me përkrahje financiare nga Bashkimi Evropian. Nga kjo thirrje kanë përfituar 51 biznese, ndërsa 103 të tjera janë mbështetur për pajisje me efiçiencë të lartë energjetike.
Ministrja Rizvanolli theksoi rëndësinë e këtyre skemave për transformimin e sektorit energjetik dhe përkrahjen e bizneseve prodhuese që investojnë në efiçiencë dhe energji të pastër për të ulur kostot e operimit. Ajo falënderoi Bashkimin Evropian për bashkëpunimin në përkrahjen e masave që japin efekt të menjëhershëm dhe janë të lidhura me qëllimet strategjike afatgjata të vendit.
Ndërsa, Shefi i Seksionit për bashkëpunim i Bashkimit Evropian, Johaness Madsen Stenbeak tha se investimi në efiçiencë të energjisë është një hap drejt zhvillimit të popullatës, ekonomisë së një vendi, por edhe të rajonit.