Rizvanolli në Greqi: Lëndët e para si Litiumi, nuk duhet të sigurohen duke forcuar regjime autokratike e destabilizuese
Selanik, 06.09,2024 – Ministrja e Ekonomisë e Republikës së Kosovës, Artane Rizvanolli ka përfaqësuar Republikën e Kosovës në Forumin e Energjisë së Evropës Juglindore (SEEF 2024), që po mbahet në Selanik të Greqisë.
Në forum kanë marrë pjesë ministra të vendeve të rajonit dhe përfaqësues nga Departamenti i Energjisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku janë diskutuar tema të ndryshme për të ardhmen e energjisë në rajon, përballja me krizat energjetike, orientimin drejtë energjisë së gjelbër dhe burimeve tjera energjetike të ripërtërishme.
Ministrja Rizvanolli ka qenë pjesë e panelit ministror “Bashkëpunimi energjetik në Evropën Juglindore dhe rajoni Mesdheut Lindor: Një kthim për sigurinë e energjisë në BE”, ku së bashku me homologët e saj nga Greqia, Theodore Skylakakis, Maqedonia e Veriut, Sanja Bozhinovska, atë të Bullgarisë, Vladimir Malinov dhe ministrin rumun, Sebastian Burduja, kanë diskutuar për bashkëpunimin energjetik në rajon.
Me këtë rast mes tjerash, Ministrja Rizvanolli ka theksuar se lëndët e para si Litiumi, nuk mund të sigurohen duke forcuar regjime autokratike me tendenca për destabilizimin e rajonit.
Po ashtu, ajo ka vlerësuar se bashkëpunimi me partnerë me të cilët i ndajmë vlerat është tejet i rëndësishëm për sigurinë e energjisë të rajonit.