Raporti  për Klimën i Bankës Botërore vlerëson pozitivisht Kosovën për nismat ligjore në këtë fushë

Prishtinë, 10.12.2024 – Ministrja e Ekonomisë (ME), Artane Rizvanolli ka marrë pjesë në tryezën ku është prezantuar raporti i Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin e Kosovës (CCDR). Ministrja në tryezë ka thënë se vendi ynë qëndron në pikën e kryqëzimit të sfidave mjedisore, energjetike dhe ekonomike, teksa shtoi se kriza klimatike, e ajo energjetike evropiane dhe tensionet politike, kanë zbuluar dobësitë në sektorin tonë të energjisë.

Përveç ministres Rizvanolli, në këtë tryezë ka marrë pjesë ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu dhe Massimiliano Paolucci, menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut.

Ministrja tha se disa nga arritjet që u vlerësuan në këtë raport ishin angazhimi për investimet në eficiencën e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe ndërtimin e sistemeve të baterive për ruajtjen e energjisë.

“Këto janë projekte që jemi duke i realizuar sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe në përputhje me praktikat më të mira transparente. Rruga drejt transformimit energjetik që kemi nisur, nuk është vetëm një vizion, por një punë e përditshme për një Kosovë më të gjelbër dhe më të fortë”, ka thënë ajo.

Përndryshe, në raportin që është prezantuar nga Banka Botërore, ka vlerësime pozitive për Kosovën në aspektin e ndryshimeve klimatike. Theksohet se Kosova ka miratuar angazhime kombëtare vullnetare të barasvlershme edhe pse nuk është palë në Konventën Kornizë të Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike (UNFCCC).

Vlerësim mori edhe miratimi i Ligjit për Ndryshimet Klimatike, që vendos bazën ligjore për planifikimin dhe organizimin institucional për zbutjen dhe përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike, si dhe parashikon hartimin e një strategjie afatgjatë të dekarbonizimit me një horizont kohor prej 30 vitesh.

Sipas raportit Strategjia e Energjisë 2022–2031, synon të përmirësojë efikasitetin e energjisë dhe të rris përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si dhe Draftin  e Planit Kombëtar të Energjisë dhe Klimës (NECP) të korrikut të vitit 2023, që vendos objektiva për zbutjen e ndryshimeve klimatike, të cilët janë në përputhje me paketën për Energji të Pastër të Komunitetit të Energjisë.

Raporti i Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin e Kosovës (CCDR) për vitin 2024, është publikuar në muajin tetor, teksa është prezantuar dje.