Qytetarët nga sot mund të aplikojnë për subvencionim të pajisjeve shtëpiake efiçiente dhe sistem diellor për ngrohjen e ujit sanitar

Prishtinë, 18.08.2023 – Është shpallur thirrja për mbështetjen e konsumatorëve familjar në investim në pajisje shtëpiake efiçiente dhe për mbështetjen e konsumatorëve familjar në investim në sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemin diellor për ngrohjen e ujit sanitar.

Masat e efiçencës u prezantuan sot nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Duke folur për shpalljen e masave të efiçiencës së energjisë, Kryeministri Kurti theksoi se po lansojmë masën e tretë me radhë, subvencionimin e pajisjeve shtëpiake për familje me fokus në përkrahjen e qytetarëve në mbështetje të asistencës sociale dhe të prindërve vetushqyes.

Kryeministri Kurti shtoi se efiçrenca e energjisë përveç që ndikon në uljen e kostos financiare për familjet dhe ekonominë tonë, ajo gjithashtu ndikon në reduktimin e emetimit të gazrave serrë dhe uljen e importit të energjisë elektrike, pra mjedis më të shëndetshëm për të gjithë dhe kursim të buxhetit të shtetit që është i të gjithëve.

“Këtë qëllim e ndajmë me miqtë dhe partnerët tanë Bashkimin Evropian, të cilët kanë ndarë 75 milionë euro për Republikën e Kosovës, në përballje me pasojat me pasojat e krizës energjetike evropiane. Kjo pako ka vlerën më të lartë për kokë banori në rajon”, tha Kryeministri Kurti.

Ministrja Artane Rizvanolli tha se këtë vit Ministria e Ekonomisë do të zbatojë programin e efiçiencës, i cili kap shifrën prej 15 milionë euro dhe përfshin për familje 10 milionë euro, për pajisje ngrohëse efiçiendte, pajisje shtëpiake efiçiente, sisteme solare për ngrohjen e ujit sanitar si dhe sisteme solare fotovoltaike, për mes së cilës synojmë të përfitojnë së paku 20 mijë qytetarë.

“Sot po lansojmë dy thirrjet e para për pajisje shtëpiake, rrobalarëse, enëlarëse, frigorifer dhe sisteme diellore për ngrohjen e ujit, ndërsa me të tjera do të vazhdojmë gjatë javëve në vijim. Zëvendësimi i pajisjeve joefiçiente me ato efiçiente, sjell shumë përfitime për qytetarët, që nga ulja e shpenzimeve të energjisë elektrike, e që drejtpërdrejt kthehet në uljen e faturave, e deri në kostot e reduktuara të mirëmbajtës, e efekteve pozitive në ambient”, tha ajo.

Po ashtu, Ministrja Rizvanolli njoftoi se sivjet për herë të parë në Kosovë, do të investohen rreth 30 milionë euro në sektorin rezidencial, që është shuma më e madhe që historikisht është investuar ndonjëherë në këtë sektor. Rizvanolli po ashtu shtoi se javën e kaluar sapo e kemi shpall thirrjen për izolimin e shtëpive, ndërrimin e dyerve dhe dritareve, izolimin e kulmit dhe dyshemesë, masë e zbatuar nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë dhe e mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Alessandro Bianciardi nga Zyra e BE-së në Kosovë theksoi se nga mbështetja që i ka dhënë BE-ja Kosovës në shumën prej 75 milionë eurove, janë mbi 200-mijë ekonomi familjare që kanë përfituar nga subvencionimi i faturave të energjisë elektrike.

Bianciardi theksoi se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar që ta mbështes Kosovën në rrugën për një energji të pastër, dekarbonizimin dhe një sigurime më të mirë me energji të ripërtrishme që janë esenciale për një zhvillim të qëndrueshëm.

Ndryshe, aplikimi për subvencionim të masave të shpallura sot, bëhet online përmes platformës e-Kosova.

Aplikimi për pajisje shtëpiake efiçiente mund të bëhet në https://ekosova.rks-gov.net/467

Aplikimi për sisteme të energjisë së ripërtrishme – sistemi diellor për ngrohjen e ujit sanitar bëhet në: https://ekosova.rks-gov.net/468

Informatat e plota mund t’i gjeni në uef-faqen e Ministrisë se Ekonomisë, apo në linqet:

https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/1Thirrje-publike-nenmasa-B-KF-17.08.2023-final.pdf

https://me.rks-gov.net/wp-content/uploads/2023/08/Thirrje-publike-nenmasa-C-KF-17.08.2023-final.pdf