Qeveria synon përmbushjen e standardeve evropiane të mjedisit

Prishtinë, 05.03.2014 – Mbrojtja e mjedisit nga këndvështrimi i sektorit të energjisë është një faktor tejet i rëndësishëm dhe për këtë Qeveria është e angazhuar në vazhdimësi t’i përafrohemi përmbushjes së Direktivës se BE-së për të reduktuar emetimet e pluhurit në ajër nga impiantet me djegie të mëdha, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli.

Këto komente kreu i MZHE-së Ismajli i bëri me rastin e inaugurimit të investimeve në tri projektet mjedisore në Termocentralin Kosova A, në të cilën morën pjesë edhe Drejtoresha Rajonale e Bankës Botërore, Ellen Goldstein, Ambasadorët e Holandës dhe Gjermanisë në Kosovë, Robert Bosch e Peter Blomeyer, drejtori menaxhues i KEK – Arben Gjukaj, kreu i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi si dhe përfaqësues të MMPH-së, ZRRE-së etj.

Ministri Ismajli u shpreh i kënaqur që inaugurimi i këtyre projekteve bëhet pikërisht me 5 Mars – Ditën Botërore të Efiçiencës së Energjisë, duke shtuar se EE është një nga prioritetet kryesore të Strategjisë së Energjisë që pritet të miratohet këto ditë.

Nga ana e tij, drejtori menaxhues i KEK, Arben Gjukaj tha se sot shënojnë përmbylljen me sukses të tri projekteve mjedisore në TC “Kosova A” siç janë transporti hidraulik i hirit nga Kosova A në hapësirat e boshatisura të minierës; Instalimi i elektrofiltrit të ri në njësinë A 4  dhe vënien e stacionit të kompresorëve në TC Kosova A.

Sipas tij, falë investimeve prej 40 milionë euro që KEK ka bërë në projekte mjedisore nga sot banorët e Obiliqit, Fushë Kosovës dhe Prishtinës mund të frymojnë lirshëm.

Ndërsa, Ellen Goldstein – Drejtoreshë dhe Koordinatore Rajonale për Evropën Juglindore në BB, tha se ky sistem hidraulik i bartjes së  hirit të lagshtë, është një nga teknikat më të mira mjedisore në vijë të plotë me standardet evropiane dhe botërore.

Robert Bosch, Ambasador i Holandës në Kosovë tha Holanda ka qenë e përfshirë në projekte mjedisore duke punuar ngushtë me Bankën Botërore dhe  KEK-un.

Më tej, Peter Blomeyer, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë theksoi se cilësia e ajrit është shqetësim i veçantë për të gjithë, dhe instalimi i këtyre filtrave është një hap përpara sepse reduktojnë emetimin.

Realizimin e projekteve mjedisore në TC Kosova A i ka vlerësuar lartë edhe kreu i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, i cili u shpreh i bindur se kjo do të përmirësojë mjedisin në këtë komunë.