Qeveria synon fonde të veçanta për EE dhe BRE

Prishtinë, 30.03.2015 – Kosova ka kapacitetet e vjetërsuara të gjenerimit të energjisë, andaj ka nevojë për kapacitete të reja gjeneruese në mënyrë që të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, mirëpo është e nevojshme që të investohet në komponentët e rëndësishme siç janë Efiçienca e Energjisë dhe Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Këto komente kreu i MZHE-së i bëri në konferencën, “Eficienca Energjetike dhe Burimet e Rinovueshme të Energjisë, Objektivat 20:20:20” që u organizua nga Ambasada e Italisë në Prishtinë dhe ITA-Italian Trade Agency, ku merrnin pjesë përfaqësues të institucioneve, komunitetit të bizneseve kosovare dhe përfaqësues të bizneseve italiane.

”Ne i kemi të gjitha ligjet, të cilat i rregullojnë fushën e energjisë, i kemi edhe caqet për të cilat kemi marrë detyrimet si Qeveri, po ashtu edhe caqe të tjera të cilat janë të parapara me Strategjinë, por edhe me Planin e Veprimit Kombëtar për Efiçiencën e Energjisë”, tha Stavileci, duke shtuar se këto janë parakushte për investime në këtë fushë.

Ministri Stavileci theksoi se Qeveria është në kërkim të fondeve për efiçiencën e energjisë dhe për burimet e ripërtëritshme në mënyrë që të kemi furnizim të qëndrueshëm me energji elektrike, punësim dhe po ashtu edhe fatura të përballueshme për qytetarët dhe njëkohësisht të mbrojmë mjedisin nga ndotja.

Ambasadori i Italisë në Kosovë, Andreas Ferrarese tha se këto ditë do të flasim për energjinë si prioritet kombëtar për Kosovën, ngase të gjitha familjet përballen me këtë problem drejtpërdrejt për shkak të çmimit të lartë, ku ka prej tyre që deri në 40% të të hyrave të përgjithshme i paguajnë vetëm për energji.

Ai tha se edhe Italia ka problem me energjinë dhe është detyruar të diversifikojë burimet e energjisë dhe një gjë të tillë duhet të bëjë edhe Kosova, pra të zhvillojë burimet alternative të energjisë dhe për këtë duhet edhe legjislacioni adekuat.

Nga ana e tij, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu tha se në bazë të një analize që ka bërë ky institucion ka rezultuar se tani ndër problemet kryesore të bizneseve del të jetë çmimi i energjisë dhe furnizimi me energji. Ai shtoi se nuk mund të ketë integrim evropian vetëm në aspektin politik, pa pasur edhe integrim ekonomik ku hyjnë edhe obligimet për fushën e energjisë si arritja e caqeve 20:20:20 dhe zvogëlimi i emetimeve.

Më pas përfaqësues të kompanive italiane, Energy Team s.p.a dhe Leonardo sh.p.k, prezantuan para të pranishmëve aktivitetin e tyre, përfshi edhe tregun e Kosovës, ndërsa paralajmëruan se janë duke analizuar mundësitë për të investuar në projekte konkrete të Efiçiencës së Energjisë apo Burimeve të Ripërtëritshme të Energjisë.