Qeveria partner në reformimin dhe avancimin e sektorit të ujërave

Prishtinë, 04.11.2016 – “Uji dhe Punësimi” ishte tema e Konferencës dhe Ekspozitës së përbashkët Ballkanike, e cila po mbahet në Tiranë, e organizuar nga SHUKALB dhe SHUKOS, tanimë organizim tradicional që nga viti 2013.

Me një audiencë prej mbi 450 pjesëmarrës nga Rajoni i Ballkanit dhe më tej, Konferenca ofron një platformë ku profesionistë të ujit, politikë bërësit, dhe profesionistëve të biznesit nga sektori mblidhen dhe diskutojnë mbi çështje me interes, shkëmbejnë informacion, dhe ndajnë përvojat e tyre në përpjekje për të ndihmuar më tej zhvillimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe kanalizimeve në Rajonin e Ballkanit.

Gjatë këtij eventi të rëndësishëm për sektorin përkatës, Zv.Ministrja Besa Zogaj-Gashi shpalosi disa nga arritjet e Qeverisë së Kosovës, si partner i vazhdueshëm në reformimin dhe avancimin e sektorit të ujërave.

Ajo tha se edhe përkundër faktit se Qeveria e Kosovës ka trashëguar një sektor të shkatërruar nga pas luftës, duke adresuar fillimisht nevojat emergjente por shumë shpejt, u  zhvilluan projekte për zhvillimin  e qëndrueshëm të dhe afatgjatë të sektorit, ndërsa tani kemi një sektor që tregon trende pozitive në gjithë treguesit e performancës. si dhe mbulimin e shërbimeve me ujë, përfshirë zonat rurale.

“Tani rreth 85% e popullatës shërbehen nga sistemi publik i ujësjellësit, qeverisjen e ujërave, (ku kemi nda resurset tek dikasteri mjedisor dhe shërbimet tek dikasteri ekonomik) konsolidimin e kompanive të ujërave, bashkëpunimin me komunat, rritjen e përqindjes së inkasimit, arritje të cilat janë të vlerësuara nga programe rajonale dhe Programi i Ujit të Danubit ku e vlerëson Kosovën si më të mirën në rajon në kuptim të qëndrueshmërisë së sektorit”, tha Zogaj-Gashi.

Sipas saj, Qeveria nga viti 2000 e deri më sot ka financuar 1/3 nga 315 milionë euro investime të përgjithshme në sektorin e ujërave deri më tani.

Zv.Ministrja tha se me qëllim të përmirësimit të mëtejme të situatës në sektorin e ujit,  menaxhmenti dhe bordet e Kompanive Rajonale të Ujit, duhet me përkushtim dhe përgjegjësi të punojnë dhe të mënjanojnë  praktikat, të cilat mund të kërcënojnë arritjet e deritashme rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare dhe t’i shmangen rreziqeve që të kthehen në subvencionimin e operimit dhe mirëmbajtjes të kompanive publike të ujit.