Qeveria e Republikës së Kosovës miraton Propozim-Vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë”

Prishtinë, 24 dhjetor, 2021 – Qeveria e Republikës së Kosovës gjatë mbledhjes së 51-të ka miratuar propozim-vendimin për “Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë” të propozuar nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Ky propozim-vendim ka ardhur si rrjedhojë e situatës energjetike në vend dhe ka për qëllim tejkalimin e situatës energjetike të shkaktuar nga kriza botërore.

Propozim – vendimi ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorëve, mbrojtjen e sigurisë publike, si dhe kryerjen e shërbimeve të domosdoshme për menaxhimin e sigurisë së rrjetit. Për më shumë, ky propozim-vendim ka për qëllim trajtimin e kategorisë së konsumatorëve të mbrojtur në përputhje me legjislacionin për energji.

Ky dokument parasheh ndërmarrjen e masave specifike por edhe themelimin e Komitetit Teknik në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë me qëllim të identifikimit dhe paraqitjes së rekomandimeve Ministres së Ekonomisë.

Ky Komitet Teknik parashihet të përbëhet nga përfaqësues të të gjitha institucioneve relevante si; Ministria e Ekonomisë (ME), Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE), Operatori i Sistemit të Transmetimit dhe Tregut (KOSTT), Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), Operatori i Sistemit të Distribucionit (KEDS), Furnizuesi i Shërbimit Univerzal (KESCO), Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) si dhe Autoriteti Kosovar i Konkurencës (AKK).

Komiteti do të identifikojë dhe rekomandojë zbatimin e masave për t’i trajtuar efektet negative të rrethanave të krijuara në bazë të të cilave Ministria e Ekonomisë do të marr vendimin dhe publikojë masat kufizuese.

Duke u bazuar në këto rekomandime, Qeveria si masë emergjente do të vendosë obligime të veçanta për ndërmarrjet e energjisë me qëllim të trajtimit të çfarëdo mungese të papritur ose afatgjatë të kapacitetit prodhues energjetik, kapacitetit të transmetimit apo të shpërndarjes së energjisë.